Ish-ylli i Premierligës dhe fëmijët e tij shpëtohen mrekullisht nga valët e rrezikshme në det

Ish-ylli i Premierligës dhe fëmijët e tij shpëtohen mrekullisht nga valët e rrezikshme në det

Ish-lojtari i Manchester Cityt, Martin Demichelis, ka pasur një përvojë të frikshme gjatë pushimeve në Uruguaj, kur ai dhe fëmijët e tij u morën nga një rrymë e fortë në det dhe u shpëtuan nga surferët vendas.

Ngjarja ndodhi pranë resortit të njohur Punta del Este, në një zonë pa shërbim rojtar plazhi. Në mesin e fëmijëve ishin Bastian (16), Lola (12) dhe Emma (8), si dhe mbesa e tij Camila, të cilët u morën nga rryma dhe u ndihmuan nga banorët dhe surfistët që ndodheshin aty.

Pamjet e shpëtimit kanë bërë xhiron e mediave në Argjentinë dhe Uruguaj, me banorët lokalë që e përshkruajnë si një “mrekulli” që drama nuk përfundoi në tragjedi. Fëmijët kapeshin pas një dërrase surfi dhe u tërhoqën drejt bregut, ndërsa Demichelis dukej se i shtynte nga pas. Duartrokitje dhe brohoritje dëgjoheshin nga bregu pas përfundimit të shpëtimit.

Gazetari uruguaian Gustavo Descalzi deklaroi për televizionin argjentinas A la Tarde: “Është një mrekulli që janë gjallë. Uji aty është shumë i thellë dhe rrymat i marrin larg bregut. Ngjarja ndodhi gjatë ndërrimit të rojeve, dhe fatmirësisht surfistët që i shpëtuan po kalonin aty”.

Ngjarja ka ndodhur më 31 dhjetor, por lajmi dhe pamjet e shpëtimit u bënë publike vetëm së fundmi. Demichelis ende nuk ka komentuar zyrtarisht përmes rrjeteve sociale.

Kjo nuk është hera e parë që ish-mbrojtësi argjentinas përballet me situata të rrezikshme jashtë fushës; më parë ka pasur incidente me arinj dhe hajdutë gjatë jetës private./Periskopi/

Shpërndaje në: