Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit: Ushtarë izraelitë “pa dyshim” kanë kryer krime lufte në Gaza

Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit: Ushtarë izraelitë “pa dyshim” kanë kryer krime lufte në Gaza

Ish-zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, ka deklaruar se ushtarë të veçantë të Izraelit kanë kryer krime lufte gjatë luftës me Hamasin në Rripin e Gazës, duke theksuar se kjo është e pakontestueshme.

“Nuk mendoj se është gjenocid, por mendoj se është pa asnjë dyshim e vërtetë se Izraeli ka kryer krime lufte”, u shpreh Miller në një intervistë për televizionin britanik “Sky News”.

Ai sqaroi se, ndonëse SHBA-të nuk kanë dalë zyrtarisht me përfundime për krime lufte nga shteti izraelit, ekzistojnë prova të qarta për raste individuale. “Ka pasur incidente që kanë qenë krime lufte, ku ushtarë të ushtrisë izraelite i kanë kryer ato,” shtoi ai, duke përmendur se janë hapur hetime, por “nuk po shohim askënd që mbahet përgjegjës”.

Miller theksoi se demokracitë duhet të gjykohen në bazë të aftësisë së tyre për të ndëshkuar shkelësit, por deri tani Izraeli “nuk ka bërë mjaftueshëm” në këtë drejtim.

Ndërkohë, autoritetet izraelite mohojnë akuzat për krime lufte, duke deklaruar se operacionet e tyre ushtarake synojnë Hamasin dhe jo civilët, të cilët – sipas tyre – po përdoren si mburoja njerëzore nga grupi militant palestinez./Periskopi/

Shpërndaje në: