Java e madhe e Barcelonës: Tri ndeshjet që vendosin të ardhmen e Koeman

Java e madhe e Barcelonës: Tri ndeshjet që vendosin të ardhmen e Koeman

Humbja e Barcelonës në Champions League ndaj Bayern Munich ekspozoi disa të meta që tregojnë se Barcelona mund të mbetet prapa edhe në garën për  titullin në Spanjë.

Kualiteti i Bayern Munich vuri në dukje nivelin e dobët të mbrojtjes së Barcelonës, duke treguar se plagët e vjetra nuk janë mbyllur akoma.

Menjëherë pas ndeshjes, kritikat janë shtuar në maksimum për trajnerin holandez, Ronald Koeman, dhe tashmë nëpër medie përmenden edhe emra që mund ta zëvendësojnë atë.

Për t’i bërë edhe më të vështira punët për Koeman, i bën fakti se Jordi Alba, Ansu Fati, Pedri, Sergio Aguero e Ousmane Dembele janë të lënduar dhe nuk mund të kontribuojnë në skuadër. Por, as taktikisht gjërat nuk janë më mirë, transmeton Periskopi. Trajneri zgjedh 3-5-2 apo 5-3-2, duke dështuar krejtësisht me Depay e Luuk de Jong.

Megjithatë, e ardhmja e Koeman thuhet se do të përcaktohet gjatë kësaj jave – “javës së madhe të Barcelonës”.

Tri ndeshje në letër të lehta, por që Koeman duhet t’i qëllojë në shenjë për ta ruajtur të ardhmen e tij. Bëhet fjalë për Granada, Cadiz dhe Levante; tre plumbat e fundit të Koeman.

Të tri këto ndeshje do të luhen në kuadër të La Liga. Disa medie në Spanjë thonë se do të mjaftonte vetëm një humbje nga këto tri ndeshje që Laporta ta shkarkonte holandezin.

Mbetet të shihet se si do t’ia dalë Koeman në gjithë këtë presion. Situata për Barcelonën mund të bëhet vetëm më e rëndë. /Periskopi/

Shpërndaje në: