Joseph: Asociacioni mund të jetë kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës

Joseph: Asociacioni mund të jetë kusht për anëtarësim në Këshill të Evropës

Profesori i Universitetit “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edward Joseph, thotë se dërgimi i draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese mund jetë një kusht nga shtetet e QUINT-it, për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.  Ai thekson se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është një hap i madh që mbi të gjitha do t’i tregonte presidentit serb, Aleksandër Vuçiq se strategjia e tij për të izoluar Kosovën nuk po funksionon.

Analisti amerikan i politikës së jashtme, në një intervistë për KosovaPress, thotë se dialogu Kosovë-Serbi ka ngecur, derisa e kualifikon të aryeshme kërkesën e kryeministrit Kurti për nënshkrim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.

Sipas tij, themelimi i Asociacionit mund të jetë hap i duhur, por nëse bëhet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës dhe jo një “Republika Srbska” e dytë. Megjithatë, thekson se serbëve në Kosovë mund t’iu jepet një formë më e kufizuar e autonomisë me qëllim që të heqin dorë nga ndarja e Kosovës dhe Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.

Ai për KosovaPress, flet edhe për zëvendësuesin e ndërmjetësit evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe raportet e Kurtit me Administratën Biden dhe çështjen e dinarit.

Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq e ka anuluar marrëveshjen e Brukselit, andaj është e rëndësishme që në rrethanat aktuale të kemi garanci më të forta për validitetin e saj përmes nënshkrimit.Sidoqoftë, profesori amerikan thotë se nëse Asociacioni bëhet siç duhet, mund të jetë një hap i mirë drejt zgjidhjes së ngërçit në dialog.

Duke folur për rolin e Miroslav Lajçak në dialog, Joseph thotë se ka punuar shumë dhe se e njeh mjaft mirë Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, emisari i ardhshëm duhet të jetë nga një vend që e njeh Kosovën, derisa shpreh rezervat e tij për ish presidetin slloven, Borut Bahor, i cili po përmendet si zëvendësues i mundshëm i Lajçak.Sa i përket raporteve të kryeministrit Albin Kurti me amerikanët, ai thotë se nuk janë të mira dhe se kjo është për të ardhur keq, pasi Kosova ka nevojën për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas tij, dallimet kanë dal në pah më shumë në vendimin për dinarin, i cili është dashur të koordinohet ngushtë me aleatët.

Shpërndaje në: