Jusuf Thaçi i del kundër vendimit të Qeverisë për arsimin e lartë publik pa pagesë

Jusuf Thaçi i del kundër vendimit të Qeverisë për arsimin e lartë publik pa pagesë

Njohësi i çështjeve të arsimit dhe përkrahësi i Vetëvendosjes, Jusuf Thaçi, i ka dalë kundër vendimit të Qeverisë Kurti për bërjen e arsimit të lartë publik falas.

Në një status të gjatë, z. Thaçi ka njohur beneficionet e këtij vendimi për disa kategori të caktuara të studentëve por ka  theksuar se ai nuk është i drejtë duke varguar pesë arsye.

Një ndër to është edhe se nuk ka një dallim mes studentëve të varfër dhe të pasur, përcjell Periskopi.

Po ashtu, Thaçi ka përmendur se Kosova vazhdon të paguajë për kuadro të cilat nuk i nevojiten fare shtetit meqë sistemi arsimor është në shpërputhje me nevojat e tregut të punës.

Statusi i plotë:

Dy fjalë për arsimin e lartë publik falas në Kosovë

Vendimi për arsimin e lartë publik falas në Kosovë është lajm shumë i mirë për administratën e universiteteve publike, sepse e shkarkon këtë administratë nga një barrë e jashtëzakonshme (qoftë me rastin e pranimit dhe administrimit të pagesave të studentëve, qoftë me rastin e administrimit të kthimit të mjeteve për studentët që lirohen nga këto pagesa). Sigurisht është lajm i mirë edhe për ata studentë dhe familjet e tyre me kushte të vështira ekonomike. Në të njëjtën kohë ky vendim nuk ka implikime financiare shumë të mëdha për buxhetin e shtetit.

Por, përtej elementeve të sipër-përmendura, pyetja që duhet të shtrohet është kjo: A është i drejtë ky vendim?

Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje fillimisht duhet të vendosen disa premisa:

  1. Në institucionet publike të arsimit të lartë studiojnë studentë me nivele të ndryshme të kushteve ekonomike (prej studentëve me kushte shumë të vështira e deri te ata me kushte shumë të mira).
  2. Në institucionet publike të arsimit të lartë studiojnë studentë me sukses të niveleve të ndryshme gjatë studimeve (prej studentëve që dështojnë fare apo mezi i përfundojnë studimet e deri te studentët shembullorë).
  3. Institucionet publike të arsimit të lartë në Kosovë, tërësisht në shpërputhje me nevojat e tregut të punës, mbi-prodhojnë kuadro në profesione/drejtime të caktuara në ndërkohë që nuk i plotësojnë nevojat e vendit për kuadro në disa profesione/drejtime të caktuara deficitare.
  4. Në Kosovë ka institucione publike dhe private të arsimit të lartë dhe rreth 40% e studentëve në Kosovë vijojnë studimet në institucione private të arsimit të lartë (për të cilën gjë paguajnë). Prej këtyre studentëve ka studentë me nivele të ndryshme të kushteve ekonomike dhe studentë me sukses të niveleve të ndryshme gjatë studimeve.
  5. Arsimi i lartë në Kosovë nuk është i detyrueshëm në ndërkohë që sa i përket përfshirjes në arsimin e lartë Kosova e tejkalon për disafish mesataren e vendeve të BE-së.

Nisur nga këto premisa të sipër-përmendura del se vendimi për arsim të lartë publik falas në Kosovë nuk është i drejtë sepse:

  1. Në institucionet publike paguajnë njëjtë (përkatësisht nuk paguajnë fare) si i varfëri si i pasuri.
  2. Në institucionet publike paguajnë njëjtë (përkatësisht nuk paguajnë fare) si i studenti i aftë, i përkushtuar, punëtor, i përgjegjshëm e i suksesshëm si studenti i paaftë, i papërkushtuar, jopunëtor, i papërgjegjshëm e dështak.
  3. Shteti i Kosovës vazhdon të paguajë për kuadro për të cilat nuk ka nevojë shteti e shoqëria, përkatësisht tregu i punës në ndërkohë që i mungojnë kuadro në profesione/drejtime deficitare shumë të rëndësishme për zhvillimin e vendit.
  4. Rreth 40% e studentëve të Kosovës që studiojnë në sektorin privat dhe paguajnë shuma të majme për studime (vet ata nuk janë “privat”, por janë qytetarë të barabartë të Kosovës) nuk përfitojnë asnjë përkrahje nga shteti (përkatësisht nga buxheti i taksapaguesve ku edhe ata/familjet e tyre kontribuojnë) në ndërkohë që kolegët e tyre në sektorin publik marrin studime falas.
  5. Ofrimi i arsimit të lartë publik falas mund ta rrisë numrin e studentëve në sektorin publik dhe kjo nuk pritet të përcillet me rritje të buxhetit për arsimin e lartë, përkatësisht nuk do të përcillet me rritje të kapaciteteve profesionale e infrastrukturore (të cilat edhe pa rritje të studentëve do të duhej të rriteshin shumë). Prandaj e gjithë kjo mund (në fakt jam i bindur që do të) ndikojë në rënien e cilësisë së studimeve në Kosovë.

Jusuf Thaçi

Prishtinë, më

17 shtator 2021

Shpërndaje në: