Katër orë protestë në Tiranë: Hidhen dhjetëra molotovë, policia kundërpërgjigjet me gaz lotsjellës, 16 policë të lënduar
Vijoi për rreth katër orë protesta e opozitës para Kryeministrisë, dhe më pas para Kuvendit.
Protesta u shoqërua me hedhje molotovësh dhe lëndësh piroteknike nga protestuesit drejt forcave të rendit, ndërsa policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.
Tensionet ishin të larta dhe nga protesta mbetën të lënduar 16 efektivë policie.
Ndërkohë, i lënduar ka mbetur edhe deputeti Bledion Nallbati. Deputeti është dërguar drejt Spitalit të Traumës, ku është shoqëruar nga kolegët e tij, ndërsa sipas Partisë Demokratike, ai ka marrë lëndime në kokë.


Top Channel përcolli nga vendngjarja pamje të arrestimit të protestuesve, të cilët hodhën sende të forta drejt policisë.
Jo vetëm me forcat e rendit, por protestuesit u përplasën edhe me qytetarët në rrugë, duke mos i lejuar këta të fundit të largoheshin.
Ministrja e Brendshme, Koçiu, tha se forca nuk duhet të jetë mjet në protestë, ndërsa kreu i PD-së paralajmëroi një tjetër protestë më 20 shkurt./Periskopi



