Katër vetura u dëmtuan të mërkurën në veri, në njërën prej tyre ishin dy shtetas të huaj

Katër vetura u dëmtuan të mërkurën në veri, në njërën prej tyre ishin dy shtetas të huaj

Gjatë ditë së djeshme në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut janë dëmtuar katër vetura nga persona të panjohur.

Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se në rrugën Kral Petri në Zveçan rreth orës 11:10 ishte goditur një veturë dhe iu ka dëmtuar xhami i pasëm i automjetit.

“Është raportuar se nga një grup i qytetarëve të cilët kanë qenë të tubuar në afërsi të urës së hekurit, është goditur dhe dëmtuar xhami i pasëm i një automjeti. Automjeti kishte qenë në lëvizje dhe në të kishin qenë dy meshkuj shtetas të huaj. Njësitë policore janë marr me rastin dhe nuk raportohet për të lënduar”.

Ndërsa një person kishte raportuar në polici se vetura e tij derisa ishte e parkuar ishte dëmtuar nga një grup njerëzish.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se, nga një grup i qytetarëve të cilët kanë qenë të tubuar në shenjë pakënaqësie lidhur me aktivitetet policore iu kishte dëmtuar vetura e tij e cila kishte qenë e parkuar para një lokali. Njësitë policore janë marr me rastin dhe nuk raportohet për të lënduar apo arrestuar”.

Në Mitrovicën e Veriut nga persona të panjohur ishin dëmtuar dy vetura.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se, nga person-a të panjohur i janë dëmtuar dy veturat e tij, ndërsa nuk raportohet për të arrestuar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e policisë.

Shpërndaje në: