Këshilltari i Osmanit paralajmëron denoncim ndaj Gjergj Dedajt: Kërcënoi Presidenten dhe familjen e saj

Këshilltari i Osmanit paralajmëron denoncim ndaj Gjergj Dedajt: Kërcënoi Presidenten dhe familjen e saj

Bekim Kupina, këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-ambasadorit Gjergj Dedaj, i cili ka deklaruar se “klani i Osmanit” po i bën presion, ku ndër të tjerash ka përmendur se edhe pse është person që respekton ligjin, në vendin prej nga ai vjen përdoret edhe “Kanuni”.

Në reagimin e tij, Kupina ka thënë se Dedaj me këto deklarata e ka kërcënuar Osmanin dhe familjen e saj.

“Një person totalisht i papërgjegjshëm që për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit. Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit.”, ka thënë ai.

Tutje, Kupina ka thënë se nuk arsyetohet në asnjë mënyrë dhënia e hapësirës mediale një personi, recidivist i keqpërdorimit të historisë familjare në funksion të përfitimeve personale, duke thënë se këta persona duhet të shmangen nga prezantimi publik.

Kujtojmë se ish-ambasadori Dedaj sot ka deklaruar se ndihet i rrezikuar.

“Unë jam i ligjit, mirëpo na jemi shqiptarë. Nuk mundesh dikë që ja ki inati me e vra. Unë jam i rrezikum, nga Klani i Osmanit, i Vjosës dhe bashkëshorti i saj, nga njerëzit e saj dhe i listës Guxo. Nuk di që duhet me pasë kërcënim tjetër kur ta rrezikon jetën, të len të paftyrë, të hejk prej listës së pagave…Përveç ligjit të unë dhe familja ime te Malësia e Gjakovës vepron edhe kanuni i Lekë Dukagjinit. Nëse me shkel dikush, me vret dikush ka mu vra edhe ai. Edhe ai ka me pasë pasoja. Presionin që janë kah ma bajnë”, tha Dedaj.

Reagimi i plotë i Kupinës:

Është anakronike lehtësia e prezantimit në një pjesë të mediave e njerëzve që duan prortagonizëm me çdo kusht dhe të cilët përpiqen ta lustrojnë veten duke ndërtuar akuza të pabaza në raport me Presidenten e vendit.

Sjelljet dhe deklaratat skandaloze të qytetarit Gjergj Dedaj shpërfaqin nivelin e degradimit të shërbimit diplomatik në qeverisjet e kaluara.

Një person totalisht i papërgjegjshëm që për shkak të interesave meskine dhe prapaskenave të ulëta është katapultuar në pozitën e ambasadorit pa i plotësuar kriteret themelore, manipulon, përvetëson dhe kërcënon kreun e shtetit. Pa asnjë hezitim, ai përdorë deklarimin në një emision live për të bërë kërcënim kundër jetës dhe sigurisë ndaj Presidentes Osmani dhe familjes së saj, për të cilën gjë ai do të denoncohet në organet e rendit.

Nuk mund të cilësohet profesional, promovimi nëpër studio televizive apo media online i diskursit nxitës, urrejtës dhe kërcënues.

Lajm do të duhej të ishte kërcënimi që Dedaj ia bën Presidentes së shtetit, porse jo gënjeshtrat e tij. Ky raportim i njëanshëm, kjo përmbysje e lajmit është në kundërshtim total me parimet profesionale në gazetari.

Kërcënimi i Dedajt është çështje që duhet të trajtohet nga organet e rendit dhe të drejtësisë.

Nuk arsyetohet në asnjë mënyrë dhënia e hapësirës mediale një personi, recidivist i keqpërdorimit të historisë familjare në funksion të përfitimeve personale.

Mediat nuk janë klinika për shërimin e komplekseve, prandaj të tillë persona duhet shmangen nga prezantimi publik në funksion të ruajtjes së higjienës në sferën e komunikimit me publikun.

Kjo ka të bëj para se gjithash me profesionalizmin.

Mos e vrisni lajmin!

Shpërndaje në: