Këshilltari i Thaçit godet ashpër Kurtin: Në mënyrë tinëzare po heq dorë nga veriu i Kosovës

Këshilltari i Thaçit godet ashpër Kurtin: Në mënyrë tinëzare po heq dorë nga veriu i Kosovës

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, përmes një reagimi e ka goditur ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin. Kjo Qeveri, me këtë qeverisje, sipas Behramajt, ka vendosur që e strukur dhe nën arsyetimin e rrezikut të pandemisë, në mënyrë të heshtur të heq dorë nga veriu i Kosovës, duke e lënë si asnjëherë më parë që nga hyrja e NATO-s nën patronatin e Serbisë.

Sipas tij, Serbia as në këtë situatë nuk po heq dorë nga cenimi i territorit të Republikës së Kosovës, por për dallim nga dy dekadat e kaluara, këtë radhë as që po përballet me rezistencën e Qeverisë së Kosovës. Behramaj ka thënë sesi udhëheqës i ekzekutivit të vendit, Kurti do të jetë përgjegjës për ketë heshtje dhe për këtë mospërmbushje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore.

“Në mënyrë shumë tinëzare, Albin Kurti po heq dorë nga veriu i Republikës së Kosovës. Aq shumë është i etur dhe i verbuar nga pushteti në Prishtinë. Aq shumë është i dashuruar pas kolltukut të kryeministrit dhe i kapur pas bordeve, që me shpejtësinë e dritës t’i mbushë me militantë, saqë ka harruar që shteti nuk është vetëm zyra komode e Qeverisë së tij. Shteti përbëhet prej katër elementeve bazë: popullsisë, territorit, qeverisë dhe sovranitetit. Dy të parat të karakterit fizik dhe material. Dy të fundit të karakterit politik dhe shpirtëror. Çdo udhëheqës i denjë e gjen dhe e zbaton artin e tij të qeverisjes në harmonizim të plotë të tyre, sepse anashkalimi e çdonjërës është rrezik i papranueshëm dhe me pasoja fatale për të ardhmen e çdo shteti. Kjo Qeveri, me këtë qeverisje, ka vendosur që e strukur dhe nën arsyetimin e rrezikut të pandemisë, në mënyrë të heshtur të heq dorë nga ajo pjesë e territorit dhe popullsisë, duke i lënë si asnjëherë më parë që nga hyrja e NATO-s nën patronatin e Serbisë. Pra, Serbia as në këtë situatë nuk po heq dorë nga cenimi i territorit të Republikës së Kosovës, por për dallim nga dy dekadat e kaluara, këtë radhë as që po përballet me rezistencën e Qeverisë së Kosovës. Duke mos reaguar, Qeveria e Kosovës po e shkatërron gjithë progresin e arritur me shumë mund e sakrificë këto 20 vjet në veriun e Kosovës. Edhe pse i ka ditët e numëruara, heqja dorë e kryeministrit në detyrë nga territori i vendit është e pafalshme dhe do të krijojë vështirësi për çdo Qeveri në të ardhmen. Ndërsa, si udhëheqës i ekzekutivit të vendit, ai do të jetë përgjegjës për ketë heshtje dhe për këtë mospërmbushje të obligimeve kushtetuese dhe ligjore!”, ka shkruar Behramaj.

Shpërndaje në: