Kica thumbon Haxhiun: Gjykata Kushtetuese që e rrëzoi Avdullah Hotin, tash s’paska kredibilitet

Kica thumbon Haxhiun: Gjykata Kushtetuese që e rrëzoi Avdullah Hotin, tash s’paska kredibilitet

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, ka thënë se për ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, Gjykata Kushtetuese ishte e mirë kur e rrëzoi Qeverinë Hoti, ndërkaq sot për të është jokredibile.

Sipas Kicës, kjo qeveri konsistencën e vetme e ka ndryshimin e fjalëve dhe standardeve.

“Në momentin që ti del me kaq lehtësi dhe e vë në dyshim pavarësinë e institucionit më të lartë të Republikë së Kosovës, institucioni që ty të ka konvenuar kur e ka rrëzuar një qeveri, që ty të ka çuar në zgjedhje, që ti të marrësh një përqindje goxha të lartë të votuesve, tashmë ai institucion nuk qenka kredibil, pra Gjykata Kushtetuese që e paska rrëzuar Qeverinë Hoti sot e ka humbur kredibilitetin”, është shprehur Kica.

Kica tha se gjithmonë ka nevojë për reforma në drejtësi sepse zhvillimet shoqërore, sipas saj, janë të reja.

“Është e qartë që shoqëritë si të tilla, sidomos në zhvillimin e shpejte të teknologjisë, është e natyrshme që të kemi reforma të vazhdueshme në drejtësi, por tash fryma  e reformave në drejtësi duhet ta kenë një vijë të hollë ku personi kyç, në këtë rast Ministria e Drejtësisë, e kupton rëndësinë e kushtetueshmërisë, e kupton fatin që vija është shumë e hollë dhe rreziku shumë i madh”, shtoi ajo.

Shpërndaje në: