Kina i përgjigjet Bidenit për Tajvanin: ShBA t’i masë fjalët e veprat e veta

Kina i përgjigjet Bidenit për Tajvanin: ShBA t’i masë fjalët e veprat e veta

Kina të premten tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të matura me fjalët dhe veprimet e tyre rreth çështjes së Tajvanit e të mos dërgojë ndonjë sinjal të gabuar te “forcat separatiste për pavarësinë e Tajvanit”, duke iu kundërpërgjigjur komenteve të Presidentit Joe Biden, i cili tha se ShBA-ja do ta mbronte Tajvanin, nëse ishulli do të sulmohej nga Kina.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin, tha se nuk ka hapësirë për kompromis ose koncesione për çështjen e Tajvanit, duke e përsëritur pretendimin e vjetër të Kinës se ishullin e cilëson pjesë të territorit të saj, shkruan Associated Press.

“Kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me sovranitetin e integritetin territorial të Kinës dhe interesat tjera thelbësore, nuk ka hapësirë që Kina të bëjë kompromis apo koncesione dhe askush nuk duhet ta nënvlerësojë vendosmërinë e fuqishme, vullnetin e palëkundur dhe aftësinë e fortë të popullit kinez për t’i mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial”, tha zëdhënësi kinez.

“Tajvani është pjesë e patjetërsueshme e territorit të Kinës. Çështja e Tajvanit është një çështje e pastër e punëve të brendshme të Kinës që nuk lejon ndërhyrje të huaj”, shtoi ai.

Ai më tej tha se Shtetet e Bashkuara duhet “të jenë të matura me fjalët dhe veprimet e tyre rreth çështjes së Tajvanit dhe të mos dërgojnë ndonjë sinjal të gabuar për forcat separatiste të pavarësisë së Tajvanit në mënyrë që të mos i dëmtojnë seriozisht raportet Kinë – ShBA dhe paqen e stabilitetin në Ngushticën e Tajvanit”.

Presidenti amerikan ka thënë se vendi i tij është zotuar për ta mbrojtur Tajvanin në rast se ky ishull sulmohet. “Dua që Kina të kuptojë se ne nuk do të tërhiqemi prapa, nuk do të ndryshojmë asnjërin prej qëndrimeve tona”, tha ai.

Shpërndaje në: