Koka e fortë: Kë shpëtoi Presidentja personalisht nga sanksionet?

Koka e fortë: Kë shpëtoi Presidentja personalisht nga sanksionet?

Për Presidenten Osmani, koka e fortë, kryen punë përballë ideve ose proceseve – siç i quan ajo – më të dëmshme e të cenueshme për Kosovën, si për shembull: ndryshimi i kufijve. Por, për Presidenten Osmani, koka e kryeministrit Albin Kurti për targa dhe kryetarët në veri, duket se u bë e fortë, pa vend dhe në moment të gabuar.

Shkruan: Dafina Demaku

Kosovës iu vendosën masa ndëshkuese pas 26 majit 2023, ku dhuna kishte shpërthyer në veri, pasi kryetarët e zgjedhur atje, po tentonin të vendoseshin në zyret e tyre.

Nga çështja e targave e deri te ky episod i 26 majit, marrëdhëniet mes Kosovës dhe aleatëve të saj – sidomos Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishin vlerësuar në pikën më të ulët ndonjëherë, si pasojë e moskoordinmit të veprimeve si këto më lart që u përmendën, në veriun e vendit.

Dy mesazhe të prera – që dukej të ishin drejtpërdrejt për kryeministrin Albin Kurti, dha mbrëmë Presidentja Osmani në një intervistë për Click-un e televizionit 21.

I pari është ai lidhur me ‘kokëfortësinë’.

Për Presidenten Osmani, koka e fortë, kryen punë në ide – siç i quan ajo – më të dëmshme e të cenueshme për Kosovën, si për shembull: ndryshimi i kufijve.

Por, për Presidenten Osmani, koka e kryeministrit Albin Kurti për targa dhe kryetarët në veri, duket se u bë e fortë, pa vend dhe në moment të gabuar.

Megjithëse nuk e përmend me emër këtë kokë të njohur, vendimet e marra nga Kryeministri Kurti atëkohë, supozohet se po e mendojmë të njëjtën kokë unë dhe presidentja.

Kokëfortësia nganjëherë është e shëndetëshme sepse interesat e Kosovës nganjëherë duhet të mbrohen me kokëfortësi, por duhet të zgjedhet edhe momenti i duhur se kur përdoret një kokëfortësi.

Në rast se ndonjëherë ndokush kërkon të ndryshojmë kufijtë, të defunksionalizohet Kosova, ne me kokëfortësi duhet ta mbrojmë Republikën tonë.

Por në rast se gjërat që kërkohen nga partnerët tonë, janë të tilla që nuk i rrezikojmë këto vlera apo këto parime, mos të tentojmë të tregohemi më të fortë se sa që jemi dhe të tregojmë se bashkërendimi dhe bashkëpunimi t’i shohim si vlera.

Prandaj, e kam thënë se bashkëpunimin me aleatët tonë, unë e shoh si vlerë e asnjëherë si dobësi apo nënshtrim”, thotë Osmani në pyetjen e gazetarit Arbër Vllahiu, se a ishte ‘kokëfortësia jonë, ajo që na çoi në sanksione të BE-së’.

Dhe një tjetër informacion tejet interesant e dha Presidentja në këtë intervistë.

Ajo na tregon se ka punuar ‘çdo ditë, 24 orë, me të gjitha kontinentet’ që Kosova të mos marrë masa ndëshkuese, siç shprehet: “shumë-shumë më të ashpra’.

Këto masa, ishin paraparë jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj ‘disa individëve’. Kur gazetari Arbër Vllahiu, ndërhyn me shpejtësi kur përmenden ‘individët’, për ta marrë një emër individi, Presidentja nuk jep emër.

Pyetet decidivisht se a e ka fjalën për Kryeministrin, por nuk e përmend me emër.

Megjithëse vetë i përmend ‘disa individë’, kur i kërkohet ta jap një emër, përgjigjet se ‘nuk po flet për individë’.

Natyrisht, sepse për ‘një individ’ nuk do të angazhohej Presidentja që të mos i vendosen sanksione, e kuptojmë. Ai duhet të jetë ndonjë ‘kryeindivid’.

Qe çka tha Presidentja:

“Si Presidente kam qenë e angazhuar nga ajo ditë që të parandaloj shumë masa më të rrepta, partnerët tanë i dinë këto shumë mirë, çfarë masa kanë qenë të planifikuara dhe sa biseda kemi bërë çdo ditë dhe çdo natë, sepse ajo ka qenë periudhë e vazhdueshme çdo ditë 24 orë kam punuar me partnerët tanë në të gjitha kontinentet, që të parandalohen masa shumë më të ashpra edhe ndaj shtetit tonë edhe ndaj individëve”.

A po flisni për kryeministrin? – ia beh me pyetje të nënkuptueshme gazetari Vllahiu.

“Nuk po flas për askënd si individ, po flas për përpjekjet e mia si presidente dhe shumë miqve tanë kemi punuar me shumë ambasadorë të vendit tonë, me miqtë tanë, me krerë të shteteve të BE-së, telefonata të panumërta, kontakte të panumërta dhe kemi parandaluar masa shumë-shumë më të ashpra për qytetarët e vendit tonë”, i përgjigjet Presidentja.

 

 

 

Shpërndaje në: