Koloneli serb i përfshirë në sulmin terrorist te ‘Ibër Lepenci’ akuzohet për spiunazh te Serbia
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se njëri nga të pandehurit në rastin e sulmit me eksploziv në kanalin “Ibër Lepenc”, J.V., akuzohet se ka vepruar si i rekrutuar i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë.
Sipas aktakuzës, deri në momentin e arrestimit, J.V. ka pasur statusin e kolonelit të këtij shërbimi dhe dyshohet se ka ndihmuar strukturat e inteligjencës ushtarake serbe duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara, raporton Klankosova.tv, transmeton Periskopi.
Prokuroria thekson se këto veprime janë kryer me qëllim që të përdoren në aktivitete të kundërligjshme në territorin e Kosovës.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri deri në momentin e arrestimit, në cilësinë e të rekrutuarit në Shërbimin Informativ Ushtarak të Serbisë, Kolonel, ka vepruar dhe e ka ndihmuar këtë shërbim, duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat ti përdor gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Njëherësh i njëjti, akuzohet edhe për veprën penale “Spiunazhi”./Periskopi/



