Komandanti i KFOR-it përcjell stërvitjen e ushtrisë serbe

Komandanti i KFOR-it përcjell stërvitjen e ushtrisë serbe

Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutas, do të vizitojë Serbinë të premten për Ditën e Vizitorëve të Nderuar që do të mbahet në poligonin e qitjes në Peshter, ka njoftuar KFOR-i.

Sipas njoftimit, ky aktivitet organizohet çdo vit për Forcat e Armatosura të Serbisë ku zhvillohen stërvitje ushtarake, e KFOR-i këtë vizitë e ka cilësuar “si pasqyrim të raporteve efektive”.

“Kjo pasqyron raporte efektive të zhvilluara mes KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë ndër vite, duke përfshirë kontaktet e rregullta mes udhëheqjes së KFOR-it dhe Shefit të Shtabit të Forcave të Serbisë, gjeneralit Milan Mojsiloviq”, ka thënë koloneli i misionit paqeruajtës në Kosovë, Salvatore Mascoli.

Sipas tij, angazhimi i KFOR-it për të kontribuuar në stabilitet rajonal është i palëkundur.

KFOR-i ka përsëritur mesazhin se do të vazhdojë të zbatojë mandatin e tij të Këshillit të Sigurimit të OKB-së “për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Shpërndaje në: