Kombëtarja e Kosovës së Kamishit: pse nuk ndryshon asgjë me futbollin në Kosovë?
Përfundoi java e dytë në Superligën e Kosovës në futboll. Të gjithë janë të habitur: pse nuk ndryshoi asgjë megjithëse u anëtarësuam në UEFA dhe FIFA? Kemi përballë të njëjtat fusha futbolli që iu përngjajnë arave, po ata lojtarë – që japin po ato lojë jocilësore dhe vetëm dhjetëra tifozë, si sezonet e kaluara.
Le ta përsërisim pyetjen: pse asgjë nuk ndryshoi? Sepse klubet nuk i morën fondet? Jo, kjo nuk është arsyeja. Dy klube nuk e bëjnë ndryshimin, edhe ashtu. Paratë janë aty, duke pritur, kurdo që ndonjë klub investon, organizohet dhe i plotëson kriteret. Veç kësaj, në Kosovë ka tepër shumë futbolldashës, të cilët, po të ndryshonte seriozisht diçka, do t’i vërshonin stadiumet.
Por, e keqja e futbollit në Kosovë është FFK-ja bashkë me Ministrinë e Sportit. Këto nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë asgjë. Për vite me radhë, për gjendjen e keqe, janë shfajësuar me pretekstin e mosanëtarësimit në UEFA dhe FIFA. Shfajësimi tjetër është edhe më i keq: vetë klubet duhet të organizohen. Qesharake!
Për vite më radhë, kemi pasur akuza të shumta për shitblerje ndeshjesh. Shkohej deri aty sa thuhej që 90% e ndeshjeve të pjesës pranverore kurdisen. KF Prishtina madje, para disa vitesh ka bërë akuza shumë të rënda në drejtim të klubeve tjera dhe Federatës. Nëse marrim parasysh cilësinë “zhgl” të fushave dhe cilësinë “zhgl” të lojës, atëherë kjo nuk është larg mendsh.
Në këtë formë, asnjë investitor nuk mund të vijë. Gara është e pamundësuar – gjë e cila do të pasqyrohej edhe në investime. Dhe poashtu, as tifozët nuk mund të vijnë kur e dijnë që, me shumë gjasë, loja do të shitet, blihet – ose thjesht do të luhet keq, ‘amaterski’.
Një gjë është e qartë: sporti më popullor në vendin tonë ka mbetur krejtësisht i çorganizuar. Kjo federatë nuk ka asnjë ide dhe asnjë strategji se çka të bëj. Dhe të jeni të bindur, që as paratë të cilat do t’i ofroj UEFA nuk do t’i ndihmojnë asgjë praktikisht futbollit të Kosovës. Do të përfitojnë dy-tre dallaverxhi nëpër klube që s’kanë haber sesi organizohet klubi. Investitorë seriozë s’do të vijnë kurrë nëse loja më e dashur për kosovarët mbetë në këtë derexhe.
Ndërkohë, krerët e Federatës, sot e gjithë ditën e madje edhe gjithë jetën do të merren me Kombëtaren e Kosovës për të justifikuar mjerimin e tyre. Pa fijen e turpit, patën kurajë t’i ftonin lojtarët kosovarë që shndërrisin për Zvicrën që të vinin për të luajtur për ta. Ani pse, çdonjëri prej tyre do të humbte mjaft shumë nga sponzorizimet, nga karriera, e kështu me radhë. Bekim Haxhiu – Kamishi, nuk ngurroi madje t’i quante joatdhetarë vetëm që nuk kishin ardhur për të luajtur për të, për t’u fotografuar me të dhe njerëzit e sojit të tij.
Fatmirësisht ata nuk erdhën. Ne nuk i meritojmë. Paramendojeni, nga Arsene Wenger te Kamishi. Jo ne nuk i meritojmë. Ne jemi kombëtare që nuk i meriton as shumicën e lojtarëve që kanë ardhur të luajnë për Kosovën. Kjo biles, është një gjë që duhet kritikuar te UEFA. Nëse një lojtar nuk kalon nëpër asnjë fazë zhvillimi në një vend, nuk duhet të ketë të drejtën për të luajtur për atë vend. Është logjike.
Secili vend, duhet ta meritojë kombëtaren e tij të futbollit. Dhe ne, ani pse një vend me 1,8 milionë banorë nuk do ta kalonim kurrë nivelin e autsajderit, do të qëndronim madje poshtë Lihtenshtajnit e Luksemburgut.
Por megjithatë, disa lojtarë kanë ardhur. Të cilët do t’i marrin në qafë.
Për shkak se futbolli është sporti më popullor në vend, Kosova meriton shumë më mirë se kaq. Por, ndryshimi thelbësor fillon nga brenda: nga organizimi i garës, organizimi i akademive të futbollit, monitorimi i lojëve dhe ndëshkimi i rreptë i parregullsive.



