“Kombi kosovar”, si autogol

“Kombi kosovar”, si autogol

Se qysh e tek nuk mund ta dimë, veç xanxa ngjan ta ketë burimin nga skaje inferiore të politikës së Prishtinës. Edhe pse në gjeopolitikë asnjë rast nuk i ngjet tjetrit, kështu që nuk ka vend për krahasime, gjëja e parë që të vjen ndër mend, kur dëgjon këtë idenë e “kombit kosovar”, është kombi gjerman, mënyra se si u bashkua menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit, gjermanët nuk bënë deklarata të fryra, por rrëmbyen kazmën e shkallmuan murin ndarës gjysmëshekullor ngritur nga Lufta e Ftohtë.

Kurse ne, kur gjërat shkonin si mos më mirë mes dy pjesëve të atdheut, befas dolëm me teorinë e një muri të ri!? Vetë ne e askush tjetër. Pa tradhtarë në mes, pa Ballaban Pashë, pa asnjë armik. Se kështu e mendojnë disa prej sojit tonë shqiptar.

Paçka se ky popull ka një histori dhe jo dy. Kombi shqiptar nuk është një komb fetar, edhe pse nga intelektualë elitarë ndonjëherë është quajtur “komb katolik”, duke u nisur nga rrënjët historike, ngaqë fati i tij shpesh ka kaluar nëpër bazilikat e shenjta, ku dhe ka mbetur gjurma e tyre e gdhendur.

Kështu, fjala komb për herë të parë përmendet së kohën e Shtetit të Arbërit (shekullit XIII), ku në mbishkrimin epigrafik të Gëziqit bujarët arbër Progoni e Dhimitri shkruanin se bazilikën e Shna Premtes në Ndërfanës po ia blatonin “kombit të denjë” shqiptar. Prej asokohe e më sot, për 800 vite, nuk ka pasur ndonjë dykombësi të shqiptarëve. Një ishte kombi ynë dhe kur u mbajt Kuvendi i Arbërit më 1703.

Pjetër Bogdani, që u martirizua në Prishtinë, askund nuk shkroi për dy kombe, por vetëm për një, nga Preveza në Tivar, Sanxhak, Mitrovicë, Preshevë, Manastir etj. Ashtu si asnjë autor tjetër, shkrimtar, filozof, gjuhëtar nuk është shprehur për dy kombe ndër shqiptarë. Atëherë nga na erdhi ky kombi dytës? Në vendin e Lidhjes Shqiptare (e jo Kosovare) të Prizrenit!? Ngado që ta zësh fillin, ka vetëm një kombësi shqiptare. Kanuni i Lekë Dukagjinit i kapërcen Bjeshkët e Namuna, duke u shtrirë gjithkund në territoret dukagjinase, nga Mati në Gjakovë, Pejë etj.

E jo vetëm areali verior dokësor, por mbarë hapësira e territoreve shqiptare deri në Çamëri është e pandashme me “klon”, ani se me kufij shtetërorë po. Kudo është njëjtësia e alfabetit shqip, eposit, dokeve, folklorit, monumenteve etj. Të gjitha këto dihen, problemi është pse nuk përfillen si të tilla nga idhtarët e “kombit” hibrid në epruvetë? Kombi i ri që duan t’u dhurojnë shqiptarëve ka të njëjtën gjuhë me këtë kombin amë dhe një mijë arsye të tjera themelore për të mos qenë dysh.

Për gjërat e mëdha kombëtare elitat nuk hapin diskutime boshe, pasi jo çdo gjë mund të jetë objekt debati e diskutimi. Asnjë ngjarje historike madhore nuk është zhvilluar nga njëra pjesë shqiptare pa tjetrën. Themelues i shtetit më 1912, bashkë me Ismail Qemalin, ishte dhe Isa Boletini. Në qeveritë e Shqipërisë ka pasur gjithnjë ministra kosovarë, gjer figura simbol si Hasan Prishtina.

Mbi të gjitha e kemi një Gjergj Kastriotin e Nënë Terezën, Pjetër Bogdanin e Gjon Nikollë Kazazin, Naim Frashërin e Gjergj Fishtën, Ismail Kadarenë e Ali Podrimjen, Eqerem Çabejin e Idriz Ajetin, Musine Kokalarin e Ukshin Hotin, Tefta Tashkon e Anton Çetën e asesi këta nuk mund të jenë njëri i “kombit shqiptar” e tjetri i “kombit kosovar”!? Një kemi flamurin me shqiponjën me dy krena e jo me dy skiftera! Atëherë, çfarë kemi “dy” ne si shqiptarë, që të mund të përligjim praninë e dy kombeve? Një flamur simbolik të shtetit të Kosovës, që ende nuk ka mbushur dhjetë vjet?

Ai ka rolin e tij në përfaqësimin shtetëror të Kosovës, por jo dhe në atë kombëtar. Flamujt lindin, “shugurohen” në beteja, nuk krijohen në studio me kompjuter! Ato, ashtu si vetë kombet, i plazmojnë kohërat, historia, dëshmorët kombëtarë dhe nuk bëhen me dekrete. Kështu është ngjizur dhe flamuri ynë që na vjen prej Skënderbeut, i cili nuk mund të quhet hero dhe i “kombit shqiptar” dhe i “kombit kosovar”.

Kombi shqiptar formuloi gjatë luftës së Kosovës më 1999 një nga shprehjet më lapidare të tij, “një komb – një qëndrim”, që i zhvlerëson të gjitha sloganet e kohës së paqes. Kosova atë pranverë të përgjakshme u mbart në shtëpinë e vet dhe e vetmja fjalë që u tha ishte “vëllezërit kosovarë”, nga Tropoja në Sarandë.

Kurrë në Shqipëri nuk është thënë “miqtë” për kosovarët dhe anasjellta. Andaj cili forum shtetëror, konstitucional, akademik, apo referendar-popullor do ta kishte tagrin për të shpallur të ashtuquajturin “komb kosovar”?! Kombet kanë pasur kohën e tyre të formimit në Europë e më gjerë dhe tash më pak se kurrë është koha e krijimit të tyre.

Rrënjët shqiptare janë të përpajnuara si hardhia nëpër tokën shqipfolëse që nuk njeh piramida kufitare, ideologji, maniera intelektualiste. A e dinë leçitësit e kësaj pseudoteze se tash njëzet e pesë vjet dhjetëra e qindra familje këndej Morinit i kërkojnë rrënjët e të parëve të tyre matanë Pashtrikut, sepse njerëzit e të dyja anëve janë një popull e një komb. Pema e tyre gjenealogjike është një, edhe ajo familjare e autorit të këtyre radhëve fillesën e ka në Gjakovë e zgjatimet në Mirditë etj.

Por dhe e kosovarëve të Fierit, Rrashbullit etj. Cilit komb do t’i përkisnin ata? Po Abdurrahim Buza e Dervish Shaqja? Nuk është e rastit që djem e vajza të Kosovës thirren me emrat: Berat, Vlora, Rozafa etj., siç e vetmja autostradë që ndërlidh shqiptarët u pagëzua unanimisht me emrin simbolik “Rruga e Kombit”.

E nëse këto mund të quhen metafora patriotike, fundja duhet ditur nga të gjithë se sot ka një realitet jetësor mes Shqipërisë dhe Kosovës, që nuk e zhbën më asnjë lloj politike, kur qindra familje kosovare kanë shtëpitë e tyre të dyta në bregdetin shqiptar dhe se një pjesë të mirë të vitit e kanë të lidhur me të, apo rasti i Shëngjinit që tashmë është një qytet “kosovar” jo vetëm me pushues, por dhe me biznese.

Çfarë do të ndodhë me këta, kur të jenë këndej do t’i përkasin kombit shqiptar dhe kur të venë andej do të jenë të të paaftë, të paditur, analfabetë, cilëson maturantët, pjesa më e madhe e të cilëve me rezultate të shkëlqyera po prej dy muaj pas kangjellave të universiteteve. Një fakt ulëritës ky, e ai prapë nuk pranon dështimin e reformës, nuk merr masa për ta zgjidhur, por i qëndron deri në fund si i çartur duke lënduar mijëra 18-vjeçar të shkatërruar e bërë hi me një dorë, projekti i të cilëve selitur në vite ra në tokë për një kapriço qeveritare thurur me interesa klienteliste “kombit kosovar”? Gjithsesi, ky i fundit është një fiction pa kuptim.

Përndryshe, një metaforë e asgjësë. Sjellja si argument e shtetësisë, si element kushtetues i Kosovës – për ekzistencën e kombit, nuk e nxjerr dot në breg kaiken prej kartoni të kosovarizmit, që gjeti rastin të shfaqej pas disa zhvillimeve të reja të politikës qeveritare të Tiranës në Beograd, dy vitet e fundit, por që si duket kishte kohë që kurdisej si “filozofi” në sirtarët e Prishtinës dhe jo vetëm, në formën e ligjërimeve kundrarrjedhë. Përveç shtetit, të gjitha të tjerat shqiptarët këndej e ata andej i kanë të përbashkëta. Aq më tepër që ndër shqiptarë nuk po i mëshohet idesë së shtetit komb, por e kombit në dy shtete, siç ka ndodhur dhe me popuj të tjerë europianë.

Politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës janë në të njëjtën linjë, për sa u përket qëndrimeve politike e diplomatike në rajon dhe reagimin e tyre kësisoj askush nuk e paragjykon, pasi ylli polar është integrimi europian. Në këtë kuptim Presidenti, Kryeministri, ministri i Jashtëm i Shqipërisë apo i Kosovës, kur vete në Bruksel, Beograd, Nju Jork nuk është i kësaj apo asaj partie shqiptare/kosovare, por në njëfarë mënyre përfaqësues i të gjithë shqiptarëve, pa e cenuar përkatësinë shtetërore të askujt nga ne, kudo që rrojmë e cilën nënshtetësi mbajmë në pasaportë, kur e mbara do të ishte që këtë ta kishim të dyfishtë. Këtë kombin hibrid “kosovar” do të ngriheshin dhe shkollarët e do ta kundërshtonin, duke thënë se ne kemi tashmë dhe abetaren të unifikuar mes dy shteteve, çka e ka “nënshkruar” dhe ministri i Jashtëm i Kosovës. Vetëm kombi kishte mbetur pa u përgojuar dhe “njollosur”.

Puna ishte të mos ndodhte ky keqkuptim, të mos krijoheshin dy pole kundërthënëse për një gjë të paqenë, sepse sado të bëhet moderne shoqëria, një shqiptar i Shqipërisë asnjëherë nuk ka për ta parë si të një kombësie tjetër një shqiptar të Kosovës, si një francez, italian, grek, serb etj., pikërisht se është ajo palca e pashprishur kombëtare, që nuk i bie ndesh qenies të gjithë bashkëqytetarë europianë.

Kombëtaria si trashëgimi nuk është folklorike dhe nuk mund të reformohet, aq më pak të riformatohet, në rrjedhat moderne. Koha do të kalojë dhe periferia e politikës dhe elitës nuk do të ndihet mirë me “klonimin” e vet kombëtar. Mohi i saj janë vetë shqiptarët e Kosovës që i ndjekin me interes të posaçëm zhvillimet në Shqipëri, duke qenë pjesë aktive e tyre, në biznes, turizëm, media, jetën artistike etj./Panorama/

Shpërndaje në: