Komisioni kosovar për siguri takohet me atë shqiptar: Jemi vëllezër, duhemi fort e s’po bëjmë kurrgjë

Komisioni kosovar për siguri takohet me atë shqiptar: Jemi vëllezër, duhemi fort e s’po bëjmë kurrgjë

Komisi i Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë është duke zhvilluar një vizitë dy-ditore në Kosovë, ku sot janë pritur nga kryetari i komisionit për Mbrojtje dhe Siguri të Kosovës, Bekë Berisha.

Në konferencë për media, kryetari i komisionit për Siguri Kombëtare të Shqipërisë, Nasip Naço, tha se gjatë këtyre dy ditëve përfituan nga njëri-tjetri, dhe se ranë dakord me anëtarët e komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, që nëse paraqiten probleme në pikëkalimin kufitar në Morinë, atëherë do të mbahen takime të përbashkëta.

“Si vend anëtar i NATO-s, Shqipëria ka ecur përpara dhe vetëm javën e kaluar kemi inauguruar bazën e Kucovës, në vlerë mbi 50 milionë dollarë që shërben për forcimin e kapacitetit të mbrojtjes dhe për pjesën tjetër, siç ramë dakord, nëse do të kemi probleme në pikën kufitare në Morinë, do të bëjmë takime të përbashkëta me komisionet, me krerët e policive”, është shprehur Naço.

Më tej, ai tha se nëse qytetarëve nga Kosova u paraqiten probleme me Policinë Shqiptare, atëherë komisioni të cilin ai e udhëheq do të thërras në interpelancë drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe do të evidentohen problemet në mënyrë që bashkëpunimi të jetë real.

Ndërsa, kryetari i komisionit për Mbrojtje dhe Siguri të Kosovës, Bekë Berisha, tha se do të intensifikohet bashkëpunimi mes dy komisioneve.

“Ne patëm një takim, jemi duke u koordinuar në mënyrë që ta intensifikojmë bashkëpunimin, e ky të jetë real e jo sikur jemi mësuar të shohim si “jemi vëllezër, po duhemi fort e mos bë kurrgjë”, por do ta bëjmë një listë të punëve që do ta bëjmë realitet”, është shprehur Berisha.

Shpërndaje në: