Konfirmime nga Meksika: FIFA e ka refuzuar kërkesën e Iranit për të mos luajtur në SHBA
Vijnë konfirmime të rëndësishme në lidhje me Botërorin 2026.
FIFA e ka refuzuar kërkesën e Iranit për t’i zhvendosur ndeshjet e saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Meksikës, pavarësisht tensioneve politike dhe shqetësimeve për sigurinë.
Federata iraniane e futbollit kishte kërkuar që ndeshjet e fazës së grupeve të mos zhvilloheshin në territorin amerikan, duke propozuar që ato të luheshin në Meksikë.
Megjithatë, organi më i lartë i futbollit botëror ka vendosur të mos e ndryshojë planin fillestar, përcjell Periskopi.
Konfirmimi ka ardhur nga presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, e cila ka bërë të ditur se FIFA nuk e ka pranuar ndryshimin e vendeve të ndeshjeve.
“FIFA ka vendosur që ndeshjet nuk mund të zhvendosen nga vendet e përcaktuara fillimisht”, ka deklaruar ajo gjatë një konference për shtyp.
Sipas saj, një vendim i tillë do të sillte komplikime të mëdha logjistike për organizimin e turneut, i cili do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Irani kishte shprehur shqetësime për sigurinë dhe situatën politike, duke e kërkuar një alternativë për t’i zhvilluar ndeshjet e tij jashtë territorit amerikan.
Megjithatë, FIFA ka mbetur e vendosur në qëndrimin e saj, duke konfirmuar se kalendari dhe vendet e zhvillimit të ndeshjeve do të mbeten të pandryshuara.
Kështu, sipas planit aktual, Irani do t’i luajë ndeshjet e fazës së grupeve në SHBA, ku është parashikuar të përballet me Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re në kuadër të Botërorit 2026.



