Konflikti Capat – Sekiraqët: Aktakuzë ndaj nëntë personave, përfshirë Salih Sekiraqën

Konflikti Capat – Sekiraqët: Aktakuzë ndaj nëntë personave, përfshirë Salih Sekiraqën

Një dosje e rëndë me nëntë të akuzuar për katër vepra të ndryshme penale është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë për përleshjen e armatosur mes familjeve “Capat” dhe “Sekiraqët”, ku u vra një person.

Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Salih Sekiraqa, kryesori i bandës familjare të “Sekiraqëve”, akuzohet bashkë me tre pjesëtarë të tjerë të grupit të tij për vrasje të rëndë.

Ndërsa, katër pjesëtarë të familjes së “Capave” akuzohen për vrasje të rëndë në tentativë, sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Një person tjetër me inicialet V.B. akuzohet për “manipulim me prova”, tha Prokuroria.

“Sipas hetimeve, motivi i këtij sulmi lidhet me një konflikt të mëhershëm të datës 04.03.2024, të ndodhur ndërmjet SH.S. (djalit të të pandehurit S.S) dhe P.G. (vëllait të tani të ndjerit P.G.), konflikt i cili ka përshkallëzuar armiqësinë ndërmjet dy grupeve”, tha Prokuroria në njoftim.

Prokurori i rastit ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor.

Breshëri plumbash me kallashnikov dhe armë automatike ishin shkrepur natën e 1 shtatorit në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Prishtinë.

23-vjeçari Pajtim Gashi, pjesëtar i familjes së Capave, vdiq si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit. Pesë persona të tjerë u plagosën në konflikt raporton Paparaci, transmeton Periskopi

Shpërndaje në: