Konflikti mes kushërinjve që përfundoi me fatalitet në Ferizaj, Policia del me detaje të reja

Konflikti mes kushërinjve që përfundoi me fatalitet në Ferizaj, Policia del me detaje të reja

Një vrasje ka ndodhur dje në fshatin Balaj të Ferizajt.

Lidhur me këtë ngjarje tragjike, mëngjesin e sotëm policia ka dhënë detaje.

Organet bëjnë me dije se viktima dhe dorasi janë kushërinj mes vete.

Siç bëhet e ditur në komunikatë, rasti ka ndodhur si pasojë e mosmarrëveshjeve të vazhdueshme.

“Në ditën kritike, pas një fjalosjeje, i dyshuari kishte nxjerrë pistoletën nga brezi dhe kishte shtënë katër herë mbi viktimën”, thuhet në njoftim.

Nga hetuesit dhe krimteknikët është kryer ekzaminimi i vendit të ngjarjes, ndërsa edhe i trupit të viktimës, si dhe janë intervistuar dëshmitarët. Në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja, ndërsa në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit është gjetur arma e zjarrit (pistoletë), me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Pas kryerjes së veprës penale, i dyshuari ka thirrur policinë për rastin dhe vendndodhjen e tij. Ai është arrestuar më pas dhe është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj, në Sektorin Rajonal të Hetimeve.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës I.R. (M/K), i lindur në vitin 1987, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Ndërsa i dyshuari B.R. (M/K), i lindur në vitin 1974, është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore”.

Gjatë bastisjes së shtëpisë së të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar edhe:

– Një pushkë gjahu me 72 fishekë;

– Një pushkë ajrore.

Shpërndaje në: