Konjufca me deputetin italian bisedon për dialogun Kosovë – Serbi

Konjufca me deputetin italian bisedon për dialogun Kosovë – Serbi

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim deputetin italian Emanuele Loperfido, anëtar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Italisë. Në takim ishte edhe ambasadori i Italisë, Antonello De Riu.

“Temë diskutimi e takimit ishin marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet Italisë dhe Kosovës, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë në këtë kohë të krizave dhe konflikteve.”

Konjufca ka falënderuar Italinë për mbështetjen e Kosovës në të gjitha fazat.

“Kryetari Konjufca shprehu falënderimin e tij për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës në të gjitha fazat, sikurse konfirmoi përkushtimin e Kosovës për të ndjekur rrugën evropiane të forcimit dhe zhvillimit të shtetit. Sipas Kryetarit të Kuvendit  orientimi i Republikës së Kosovës kah Bashkimi Evropian nuk është vetëm çështje e interesave ekonomike apo e sigurisë, por është një përcaktim i hershëm vleror dhe politik”.

Po ashtu është diskutuar edhe për rëndësinë e normalizimi të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt intergrimit në BE.

“U diskutua edhe për rëndësinë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt integrimit në BE dhe nevojën e domosdoshme për të luftuar ndikimin e forcave antiperëndimore në rajon si Rusia apo Kina”.

“Deputeti  Loperfido shprehu mbështetjen e Italisë për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, si dhe forcimit të demokracisë dhe shtetit ligjor. Të dyja palët shprehën nevojën e thellimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona dhe intensifikimit të bashkëpunimit të ndërsjellë, veçanërisht në rritjen e lidhjeve ekonomike”.

Shpërndaje në: