Kosova dhe Guinea dy vendet me rënien më të madhe në Indeksin e Lirisë së Mediave në botë
Raporti më i fundit i Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave në shumicën e vendeve të botës, ka përshkallëzuar situatën mediale në Kosovë.
Kosova pati një rënie prej 24 vendesh në këtë raport. Nga vendi 75 ku ishte në vitin 2024, sivjet është në pozitën e 99.
Mund të duket e pabesueshme, por nga 180 shtete që janë pjesë e këtij raporti, veç një shtet ka pasur rënie më të madhe se Kosova.
Fjala është për Guinea, e cila ka rënë për 25 vende, kurse Kosova për 24.
Kirgistani ka rënë për 24 vende, njëjtë sa Kosova.

Samoa për shembull ka rënie prej 22 vendesh. Argjentina ka rënie prej 21 vendesh, kurse shtetet e tjera si Burkina Faso kanë rënë për 19 vende,
Me indeksin e fundit, Kosova është vendi me pozitën më të keqe për lirinë e mediave në rajon dhe Bashkimin Evropian.
Kjo duke u renditur në pozitën e 99.
Shqipëria renditet në vendin e 80, Bosnja dhe Hercegovina në vendin e 86, Maqedonia 42, Mali i Zi 37, dhe Serbia 96.
Kjo është një prej renditjeve më të ulëta që ka pasur Kosova në histori, duke shënuar rënie për 24 vende për dallim nga viti i kaluar.
Nëse flitet për indikatorët, në atë politik Kosova ka shënuar rënie prej pozitës 59 në pozitën 93.
Në indikatorët ekonomik, Kosova vitin e kaluar ishte në pozitën 71, sivjet është në 101. Rënie ka edhe në indikatorët social dhe të sigurisë, kurse ngritje në atë legjislativ.
Raporti ka përmendur gjuhën e rëndë që përodret ndaj gazetarëve, duke theksuar ato nga pushteti, që i ndërlidh gazetarët me Serbinë.
“Edhe pse gazetarët janë të besuar nga shoqëria, mediat e pavarura dhe gazetarët investigativë shpesh janë objektiva të fyerjeve dhe lajmeve të rreme në mediat sociale. Ata akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, retorikë e përdorur nga grupet politike dhe fetare”, thuhet në raport.
Raporti e përshkruan Kosovën si treg medial pluralist, duke përmendur RTK-në si transmetues publik. Në mesin e problemeve theksohet cenimi i pavarësisë së RTK-së, si dhe ligjit për KPM-në i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Përmenden edhe sulmet politike.
“Edhe nëse media arrin t’i mbajë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë shënjestra e sulmeve politike. Komisioni i Pavarur i Medias (KPM), iu nënshtrua një reforme legjislative kontraverse që rrezikon të pengojë më tej pavarësinë e tij. Para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025, disa media private u shënjestruan nga një bojkot nga qeveria, i cili kërcënoi gjithashtu pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, të cilat janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në aksesin në informacionin publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është ajo e pakicës kushtetuese”, thuhet në raportin e Reporterëve pa Kufij.
Raporti flet edhe për aspektin ekonomik të mediave.
“Media financohet kryesisht nga të ardhurat nga reklamat nga sektori privat dhe ndonjëherë mbështetet edhe nga autoritetet komunale ose partitë politike. Përveç kësaj, përmes pronarëve të tyre, redaksia e mediave private është e ekspozuar ndaj ndërhyrjeve nga grupe të fuqishme politike ose biznesi. Mediat në gjuhën serbe përballen me sfidën shtesë të një tregu të vogël në të cilin disa media varen nga financimi nga Serbia fqinje, ndërsa mediat e pavarura nuk do të mbijetonin pa financim ndërkombëtar”,thuhet në raport./Periskopi/



