Kosova dhe Shqipëria dakordohen për njohje të diplomave dhe abetaren e përbashkët

Kosova dhe Shqipëria dakordohen për njohje të diplomave dhe abetaren e përbashkët

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në mbledhjen e sotme të dy qeverive që u mbajtë në Elbasan u dakorduan edhe për njohjen dhe njehsimin reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë si dhe për të punuar bashkërisht për një abetare të përbashkët.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se me këtë marrëveshje lehtësohen procedurat dhe shkurtohen afatet për njohje të diplomave dhe certifikatave dhe gradave shkencore.

Sipas saj gjithçka do të bëhet në pajtim me legjislacionin dhe kornizën e kualifikimeve të të dy vendeve.

 “ Jam shumë optimiste sepse kjo vjen si një domosdoshmëri pas shumë vitesh kur të rinjtë shqiptar të diplomuar në institucione arsimore të Shqipërisë dhe Kosovës për fat të keq hasin në vështirësi vonesa në njohjen dhe njehsimin e diplomave të tyre. Prandaj, ne duke respektuar legjislacionin në fuqi të të dyja vendeve tona duke respektuar edhe kornizën e kualifikimeve shqiptare, kosovare dhe duke respektuar të gjitha parimet dhe konventat ndërkombëtare në këtë fushë, por mbi të gjitha duke u nisur nga interesi ynë i përbashkët kemi vendosur që të lehtësojmë procedurat dhe të shkurtojmë afatet për njohjen e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore doktor që jepen nga institucionet tona arsimore, duke shmangur kështu të gjitha burokracitë ekzistuese dhe duke shfrytëzuar ato përparimet që kemi bërë në vitet e fundit. Kjo është një marrëveshje që në fakt lejon që brenda 14 ditësh t’i jepet përgjigje autenticitetit të diplomave kur kjo kërkohet nga pala tjetër dhe brenda 20 ditësh pune kryhet e gjithë procedura e plotë e njohjes dhe njehsimit”, theksoi Kushi.

Kushi u zotua se do angazhohen edhe për krijimin e abetares unike për të dyja vendet.

 “Po me të njëjtin angazhim dhe vullnet unë shpresoj shumë që siç e prezantoi edhe kryeministri Rama ne të punojmë edhe për abetaren unike të përbashkët….besoj që një abetare e re unike e vendosur në kontekstin e ri kulturor, shoqëror të zhvillimeve ekonomike digjitale besoj që do jetë në dobi të gjithëve nxënësve të gjithë sistemit tonë arsimor në të dyja vendet ”, tha ajo.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci tha se përmes marrëveshjes për njohjen dhe njehsimin reciprok të diplomave dhe certifikatave dhe gradave shkencore po shkurtohen procedurat dhe koha.

Nagavci po ashtu u shpreh se është koha që të punojnë të dy ministritë homologe për një abetare të përbashkët.

 “Shkurton procedurat formale kohën dhe gjithë ngarkesat në raport me njohjen e diplomave dhe gradave akademike për studentët dhe personat tjerë që kanë grada të lartë të fituar në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë e Shqipëri. Këto lehtësime që po i sjell kjo marrëveshje janë me interes për qytetarët e të dyja vendeve[…]Në lidhje me abetaren e përbashkët sigurisht që njëjtë vlerësoj të gjitha angazhimet e deritanishme në kurrikulën e përbashkët dhe ashtu dhe një abetare paraprake por është koha që të punojmë bashkë dhe kjo do përmbush edhe një angazhim që veçse kemi filluar me komisione të përbashkëta”, deklaroi Nagavci.

 

Shpërndaje në: