Kosova dhe Vatikani ta njohin njëri-tjetrin, thotë Konjufca në takim me Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë

Kosova dhe Vatikani ta njohin njëri-tjetrin, thotë Konjufca në takim me Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë

Raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë kanë qenë gjithmonë miqësore. Madje, ato duhet të shkojnë drejt njohjes reciproke si shtete. Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë një takimi me Delegatin Apostolik të Vatikanit, Imzot Jean Marie Speich.

Në takim kryetari Konjufca shprehu vlerësimin e tij për avancimin e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Kosovës, tashmë edhe me themelimin zyrtar të Misionit të Veçantë të Kosovës në Selinë e Shenjtë.

“Raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë kanë qenë gjithmonë miqësore dhe ato duhet të shkojnë drejt njohjes reciproke si shtete”, citohet të ketë thënë Konjufca në këtë takim.

Po ashtu, kryekuvendari shprehu falënderimin dhe mirënjohjen e tij për Papa Françeskun II për “mbështetjen e tij ndaj komunitetit katolik në veçanti, por edhe mbarë popullit të Kosovës në përgjithësi”.

Të dyja palët shprehën konsideratën mbi kulturën e veçantë të tolerancës dhe vëllazërisë që ekziston tek shqiptarët e të gjitha besimeve fetare.

“Kryetari Konjufca theksoi gatishmërinë e Kuvendit të Kosovës për të miratuar plotësimet dhe ndryshimet në Ligjin për Liritë Fetare, të cilat tashmë janë përgatitur, por votimi i tyre është bllokuar nga bojkoti i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Kuvendi i Kosovës.

Takim me Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovë, Jean Marie Speich, zhvilloi edhe kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe Përfaqësuesin e Kosovës për kontakt me Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari.

Kurti ka uruar mysafirin për Pashkët, teksa ka shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e Delegatit Speich.

Në njoftimin për media të Kryeministrisë thuhet se Kurti e çmoi vullnetin e Papës për thellimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Vatikanit.

Hapjen e Misionit Special të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë në janar të këtij viti, kryeministri e veçoi si një zhvillim të rëndësishëm në përafrimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ai gjithashtu ritheksoi vullnetin e qeverisë që të punojë ngushtë me Selinë e Shenjtë në promovimin e vlerave njerëzore dhe paqes, krahas raporteve dypalëshe.

Shpërndaje në: