Kosova do të hapë ambasada në Tajlandë, Bangladesh, Kolumbi dhe Ganë

Kosova do të hapë ambasada në Tajlandë, Bangladesh, Kolumbi dhe Ganë

Ani pse ka dështuar të marrë ulëse në INTERPOL e në UNESCO, për Ministrinë e Punëve të Jashtme “Kosova është shtet mirë integruar në komunitetin ndërkombëtarë të shteteve”.

E kësisoj, sipas MPJ-së, në vitin e njëmbëdhjetë të ekzistencës së saj si shtet i pavarur e sovran,  “Republika e Kosovës do të vazhdojë të shtrijë dhe përforcojë edhe më shumë rrjetin e saj diplomatik në disa kontinente”.

Kjo pasi Mbretëria e Tajlandës, Republika Popullore e Bangladeshit, Republika e Kolumbia-s dhe Republika e Ganës janë disa nga shtetet, ku pritet të hapen dhe funksionalizohen Ambasadat e reja të Republikës së Kosovës brenda këtij viti kalendarik.

“Nëpërmjet këtyre Misioneve të reja Diplomatike, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës synon të mbulojë edhe disa shtete të tjera nëpërmjet akreditimeve jo-rezidente, me qëllimin e zgjerimit të bashkëpunimit dhe vendosjes së partneriteteve sipas interesave të përbashkëta”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.

Ministria e Punëve të Jashtme thotë se tashmë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për procedurat respektive, që ndërlidhen me hapjen dhe funksionalizimin e plotë të këtyre Ambasadave.

Shpërndaje në: