Kosova e 91-ta në botë për siguri kibernetike, shumë prapa Shqipërisë

Kosova e 91-ta në botë për siguri kibernetike, shumë prapa Shqipërisë

Kosova është renditur në vendin e 91-të në botë për sigurinë kibernetike, me vetëm 40.00 pikë, sipas të dhënave të publikuara nga National Cyber Security Index (NCSI).

Ndërkaq në këtë indeks, Shqipëria pozicionohet në vendin e 9-të globalisht me rreth 92.50 pikë, duke shënuar një diferencë të thellë prej mbi 50 pikësh ndaj Kosovës.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka performancë dukshëm më të lartë në disa indikatorë strategjikë dhe preventivë, shkruan Telegrafi.

Në fushën e politikave të sigurisë kibernetike, Kosova ka arritur vetëm 6 pikë nga 15 sa janë në total, ndërsa Shqipëria ka arritur rreth 12 pikë. Po ashtu, në kontributin global në sigurinë kibernetike, Kosova rezulton me 0 ndërsa Shqipëria ka maksimumin e pikëve 6.

Diferenca vazhdon edhe në arsim dhe zhvillim profesional, ku Shqipëria arrin 10 pikë, ndërsa Kosova vetëm 2.

Në kërkim dhe zhvillim (R&D), Shqipëria ka 2 nga 4 pikë, ndërsa Kosova nuk ka asnjë.

Edhe në indikatorët preventivë, Shqipëria qëndron dukshëm më mirë sesa Kosova.

Në sigurinë e infrastrukturës kritike, Kosova ka 6 pikë kurse Shqipëria ka 12 pikë, në sigurinë e shërbimeve digjitale Kosova 8 pikë, Shqipëria 12.

Edhe në analizën e kërcënimeve dhe ngritjen e vetëdijes, Kosova është ranguar më keq së Shqipëria duke marrë vetëm 3 pikë, kurse Shqipëria 12.

Në mbrojtjen e të dhënave personale, të dy vendet kanë pikë të plota 4 sosh, shkruan Telegrafi, transmeton Periskopi

Indeksi vlerëson përgatitjen e shteteve për të parandaluar dhe menaxhuar sulmet kibernetike, duke analizuar kapacitetet ligjore, institucionale, teknike dhe edukative.

Rezultatet tregojnë qartë se Shqipëria ka ndërtuar një sistem më të konsoliduar të sigurisë kibernetike dhe ka avancuar në bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa Kosova përballet me mungesa të theksuara në disa nga shtyllat kryesore të këtij sektori./Periskopi

Shpërndaje në: