Kosova e Shqipëria u zotuan për dërgim trupash në Gaza, zëdhënësi i Hamasit flet pas takimit të Bordit të Paqes në SHBA
Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, deklaroi për Agence France-Presse se lëvizja islamiste palestineze është e hapur ndaj forcave ndërkombëtare paqeruajtëse në Rripin e Gazes, por hodhi poshtë ato që i përshkroi si ndërhyrje në “punët e brendshme” të territorit.
“Qëndrimi ynë për forcat ndërkombëtare është i qartë: ne duam forca paqeruajtëse që të monitorojnë armëpushimin, të garantojnë zbatimin e tij dhe të shërbejnë si neutralizues midis ushtrisë pushtuese dhe popullit tonë në Rripin e Gazës, pa ndërhyrë në punët e brendshme të Gazës”, ka deklaruar ai, raporton TCh, transmeton Periskopi.
Deklarata vjen pas takimit të parë të Bordit të Paqes në Washington, anëtarët e të cilit u zotuan të sigurojnë miliarda dollarë për rindërtimin e Gazës, e disa prej tyre si Kosova dhe Shqipëria, do të dërgojnë edhe trupa si pjesë e një force stabilizuese.
“Bordi i Paqes” është një nismë e shpallur nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe i prezantuar si një mekanizëm ndërkombëtar për të koordinuar përpjekjet për stabilizim dhe rindërtim, sidomos pas luftës në Gazë pas marrëveshjes së armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Trumpi është shpallur kryetar i Bordit, që do të thotë se ai do të vazhdojë ta kontrollojë këtë organizatë edhe pas largimit nga detyra si president./Periskopi/



