Kosova ende nën sanksione, gjermanët presin që BE do t’i heq ato pas votimit në Veri

Kosova ende nën sanksione, gjermanët presin që BE do t’i heq ato pas votimit në Veri

Me organizimin e procesit të votimit për shkarkim ose jo të kryetarëve aktualë në katër komunat në veri, Qeveria thotë se plotësoi edhe kushtin e fundit të një marrëveshje katërpikëshe në Bratisllavë përmes së cilës do t’i hiqeshin masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Europian për shkak të tensioneve në veri. Procesi i votimit dështoi për shkak të bojkotit nga serbët lokalë, të cilët u nxitën nga Lista Srpska që të mos marrin pjesë. Tash Kosova kërkon heqjen e masave sepse e ka bërë pjesën e saj.

Bashkimi Europian pati thënë më herët se Kosova ka mundësuar hapjen e rrugës për zgjedhje të reja në veri, por se serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues.

BE tha se për masat, në përputhje me Konkluzionet e tij të 12 dhjetorit 2023, Këshilli do të diskutojë masat e në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë mbi përmbushjen e kërkesave të BE-së.

Ndërkaq, Radio Evropa e Lirë përmes burimeve diplomatike ka raportuar Bashkimi Europian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë ky burim i REL.

Ambasada Gjermane në Prishtinë është pyetur nëse vendi i saj e përkrah heqjen e masave ndaj Kosovës dhe nëse kërkon që kjo të ndodhë në mënyrë graduale.

Për këtë të fundit nuk dhanë përgjigje për Express, por përcolli deklaratën e ambasadorit Jorn Rohde, i cili tha se Gjermania e konsideron që Kosova e ka kryer detyrën e saj me organizimin e votimit më 21 prill.

“Kosova ka bërë pjesën e saj duke ofruar një proces që do ta ndryshojë atë situatë dhe Kosova nuk mund të fajësohet sepse pala tjetër e bojkotoi atë. Jam i sigurt se do të ketë vendime, shpresoj, në Bruksel, që do të shkojnë në këtë drejtim. Unë personalisht mendoj se duhet nisur procesi i heqjes së masave”, tha Rohde.

Bashkimi Euriopian pati thënë se vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veri për t’u tërhequr nga procesi dhe për të bërë thirrje për bojkot rezultoi në një sërë vështirësish, duke përfshirë krijimin e disa komisioneve të qendrave të votimit pa asnjë anëtar serb të Kosovës.

“Po ashtu, vendimi i drejtorëve të shkollave me planprogram serb në veri të Kosovës për të mos lejuar përdorimin e shkollave si vendvotime, disa ditë para ditës së votimit, ka krijuar sfida serioze për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo gjithashtu pengoi qasjen e qytetarëve në informacione të sakta për vendndodhjet e reja të vendvotimeve. BE-ja shpreh keqardhjen që serbët e Kosovës në veri të Kosovës humbën mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarë komunash që do të ishin vërtet përfaqësues”.

BE tha se konsideron që rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve.

Shpërndaje në: