KPMShCK anulon vendimin e MKRS-së për pezullimin e 20 punonjësve serbë të angazhuar sipas Marrëveshjes së Brukselit

KPMShCK anulon vendimin e MKRS-së për pezullimin e 20 punonjësve serbë të angazhuar sipas Marrëveshjes së Brukselit

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka miratuar ankesën e një grupi prej 20 punonjësish serbë të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, ndaj vendimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), e cila më 25 tetor 2023 i kishte hequr ata nga lista e pagave. Vendimi i Këshillit vjen pas rishqyrtimit të lëndës, pasi Gjykata Themelore në Prishtinë kishte anuluar vendimin e mëparshëm të KPMSHCK-së dhe e kishte kthyer rastin për rivendosje.

Në vendimin e ri, të marrë më 25 nëntor 2025, KPMSHCK e aprovon ankesën e parashtruar nga punonjësit dhe e anulon vendimin e MKRS-së. Po ashtu, detyron Ministrinë që t’u kompensojë të gjitha pagat e papaguara nga dita e zbatimit të vendimit kontestues e deri në kthimin e ankuesve në vendin e tyre të punës, raporton Periskopi.

“Aprovohet si e bazuar ankesa më numër A.nr.1511/2023, e datës 11.12.2023, e parashtruar nga ankuesit M.M, D.S, N.M, N.V, S.V, I.T, D.M, D.T, M.R, R.L, B.R, D.V, D.L, V.D, U.V, I.M, M.K, R.B, Zh.V dhe Z.V,. Anulohet Vendimi Nr.80/2023, datë 25.10.2023, i ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Obligohet Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që ankuesve t’iu kompensoj çdo të ardhur materiale të humbur (pa paguar) nga dita e zbatimit të Vendimit Nr.80/2023të datës 25.10.2023 e deri në kthimin e tyre në vendin e punës”, thuhet në vendim.

Rasti lidhet me punonjës serbë të angazhuar në veri sipas Marrëveshjes së Brukselit. Ankuesit, të cilët përfaqësoheshin nga avokati Boban Petkoviq nga Shtërpca, ishin pjesë e stafit civil që ushtronin detyrat në komunat veriore në kuadër të MKRS-së, si rezultat i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Me vendimin e vitit 2023, MKRS kishte vendosur që ata të kalonin në pagë zero, me arsyetimin se nuk ishte arritur sistemimi i tyre në objektet qeveritare në veri dhe se transferimi në Prishtinë ishte i pamundur.

“Tutje, nga shkresat e lëndës rezulton se ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, më datë 25.01.2023 ka nxjerr Vendim me Nr. 80/2023, me të cilin nëpunësit të angazhuar në Komunat Veriore të Republikës së Kosovës sipas Marrëveshjes se Brukselit në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nga data 01.10.2023, shkojnë me zero në listën e pagës, deri në zgjidhjen përfundimtare të vijueshmërisë së rregullt të tyre në punës, mbi bazën e arsyetimit: Ministria e Kulturës,. Rinisë dhe Sportit, edhe përkundër përpjekjeve të vazhdueshme për të sistemuar dhe rregulluar vijueshmërinë e nëpunësve të angazhuar në Komunat Veriore të Republikës së Kosovës sipas Marrëveshjes së Brukselit, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit nuk ka arritur të zgjedh këtë çështje. Sistemimi në Komunat Veriore të Republikës së Kosovës nuk ka qenë i mundur për këtë pasi objektet qeveritare, kanë qenë në mandat të ish-Ministrisë së Administratës Publike dhe tani janë në mandat të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka bërë përpjekje që vijueshmëria e tyre të rregullohet duke i transferuar në Prishtinë, që detyrat e tyre të kryhen në objektin qendror të MKRS-së por për arsye të pamundësisë si dhe rrethanave të tjera ky transferim në këtë fazë është i pamundur”, thuhet tutje në vendim.

Në ankesën e tyre, punonjësit kishin theksuar se vendimi ishte arbitrar, pa bazë ligjore dhe pa ndonjë procedurë disiplinore, duke theksuar se ata vazhdonin t’i kryenin detyrat e tyre deri në marrjen e vendimit. Po ashtu, sipas tyre, Ministria nuk kishte ofruar asnjë argument ligjor që arsyetonte ndërprerjen e pagesave përderisa marrëdhënia e punës nuk ishte ndërprerë.

“Ankuesit kundër këtij vendimi kanë parashtruar ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës përShërbimin Civil të Kosovës, me pretendimet se vendimi i kontestuar me ankesë nuk pasqyron shkaqet pse është ndërprere marrëdhënia e punës ngase për ankuesit nuk është iniciuar asnjë procedurë disiplinime dhe të gjitha punët janë kryer deri në marrjen e vendimit përfundimtar; Vendimi i kundërshtuar me ankesë nuk mbështetet në asnjë normë të ndonjë ligji apo akti nënligjor dhe se me ketë vendim palëve ankuese i’u është ndërprerë marrëdhënien e punës në mënyrë arbitrare. Kërkojnë që ankesa të aprovohet, të anulohet vendimi i kontestuar dhe të obligohet Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të bëjë kompensimin e pagave të papaguara nga dita e nxjerrjes së këtij vendimi deri nëkthimin në vendin e punës”, thuhet tutje në vendim.

KPMSHCK fillimisht e kishte hedhur poshtë ankesën jashtë afatit, vendim të cilin më pas Gjykata Themelore e kishte anuluar në qershor të vitit 2025. Gjykata kishte vlerësuar se Këshilli kishte gabuar në interpretimin e afateve dhe kishte kërkuar rishqyrtimin e plotë të meritatit të rastit.

“Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, duke vepruar sipas ankesës së ankuesve, më datë 25.01.2024 ka nxjerr Vendimin A.nr.1511/2023, me të cilin ka hedhë poshtë si të jashtë afatshme ankesën e datës 01.12.2023 të ankuesve. Ankuesit kundër këtij vendimi kanë iniciuar konflikt administrativ pranë gjykatës kompetente, gjegjësisht Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Çështje Administrative, ndërsa, kjo e fundit më Aktgjykimin A.nr.323/2024 të datës 11.06.2025, ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësve, ka anuluar Vendimin A.nr.1511/2023 të Këshillit të PavarurMbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje”.

“Kolegji i Këshillit duke marr parasysh pikëpamjet e dhëna nga Gjykata Themelore në Prishtinë Departamenti për Çështje Administrative më Aktgjykimin A.nr.323/2024, ka rishqyrtuar ankesën e datës 01.12.2023 të ankuesve dhe pas konstatimit së ankesa është e pranueshme në kuptim të nenit 129 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ka trajtuar çështjen ankimore në kuptim meritor dhe si rrjedhojë ka vlerësuar bazën ligjore në fuqi në atë kohë gjegjësisht Ligjin Nr.06/l114 për Zyrtarët Publikë, më theks të veçantë:-Nenin 32 më të cilin është përcaktuar: 1. Marrëdhënia juridike ndërmjet shtetit dhe nëpunësit civil (në vijim: marrëdhënia e punës në Shërbimin Civil) është marrëdhënie juridike e së drejtës administrative. 2. Marrëdhënia e punës në Shërbimin Civil themelohet me aktin e emërimit dhe, përveç kur parashikohet ndryshe me këtë ligj, është e përhershme (me afat të pacaktuar). 3. Themelimi, ndryshimi apo përfundimi i marrëdhënies së punës në Shërbimin Civil bëhet vetëm sipas këtij ligji….” -Nenin 59 paragrafi 1, ku përcaktohej: 1. Marrëdhënia e punës në Shërbimin Civil përfundon, si në vijim: 1.1. për shkaqet e përcaktuara në neni 60 të këtij ligji; 1.2. me lirimin nga Shërbimi Civil sipas neneve 61 dhe 62 të këtij ligji; dhe 1.3. largimi nga Shërbimi Civil, si masë disiplinore në përputhje me këtë ligj”, thuhet tutje

Pas kthimit të lëndës, Kolegji i KPMSHCK-së ka administruar të gjitha provat për lëndën, përfshirë vendimet e MKRS-së, shkresat e komunikimit ndërmjet palëve, aktgjykimet e gjykatës dhe listat e pagave për vitin 2025. Bazuar në këtë shqyrtim, Këshilli ka konstatuar se vendimi i MKRS-së ishte nxjerrë pa bazë të mjaftueshme ligjore dhe pa respektuar dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Në arsyetimin, KPMSHCK ka theksuar se punonjësit civil nuk mund të mbeten pa pagë nëse marrëdhënia e punës nuk është ndërprerë me një vendim të qartë ligjor. Po ashtu, është vlerësuar se MKRS nuk ka siguruar arsyetim të plotë se pse sistemimi i punonjësve nuk ishte i mundur dhe pse kjo situatë justifikonte heqjen e tyre nga lista e pagave.

“Në kuptim të kuadrit ligjor si më sipër, Kolegji i Këshillit ka analizuara Vendimin Nr.80/2023 të datës 25.10.2023, të ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së dhe si rrjedhojë konstaton së akti i kontestuar është i paqartë dhe kundërthënës, pasi që nga pjesa arsyetuese e tij nuk mund të kuptohet së a kemi të bëjmë më ndërprerje të marrëdhënies së punës apo të pagës dhe së mbi cilën bazë ligjore është nxjerr ky akt. Rrjedhimisht, siç u tha më sipër, akti i goditur më ankesë është nxjerrë vetme mbi bazën se përkundur përpjekjeve të vazhdueshëm për të sistemuar dhe rregulluar vijueshmërinë e punës së ankuesit ka qenë e pamundur të zgjidhet kjo çështje”.

‘Në fakt, nisur nga sqarimet si në arsyetimin e vendimit të kontestuar, rrjedhë së largimi i ankuesve nga lista e pagave nuk është si pasojë e veprimeve të ankuesit, pra mos vijueshmërisë së tyre në punë, por i pasojë e pamundësisë së institucionit që ankuesit ti sistemoj në vende përkatëse të punës dhe të rregulloj vijueshmërinë në punë. Kështu që, marrë për bazë detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit (2013) si dhe në mbështetje të parimeve themelore në procedurë administrative (parimi i ligjshmërisë, parimi proporcionalitetit, parimi i barazisë dhe mos diskriminimit, dhe parimii pritshmërisë së ligjshme dhe të arsyeshme), organi i punësimit, në këtë rast Ministria e Kulturës,Rinisë dhe Sportit, duhet të garantoj sistemim të ankuesve në pajtim më kualifikimet e tyre profesionalesi dhe kushte të përshtatshme për ushtrim të rregullt dhe efikas të punës”, thuhet tutje.

Me vendimin final, KPMSHCK i kërkon MKRS-së që jo vetëm t’i kthejë punonjësit në vendet e tyre të punës, por t’u paguajë edhe të gjitha të hyrat materiale të humbura nga dita e zbatimit të vendimit të vitit 2023. Po ashtu, Ministria duhet ta njoftojë me shkrim Këshillin për veprimet që do të ndërmarrë lidhur me ekzekutimin e këtij vendimi.

“Kolegji për vendimmarrje të drejtë lidhur me ketë çështje, më datë 10.07.2025 i është drejtuar më kërkesë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportet për sqarim se: ..ankuesit janë kthyer në vendet e tyre të punës dhe nëse janë paguar për pagat në dita e nxjerrjes së Vendimit me Nr. 80/2023 të datës25.10.2023, të ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Ndërsa, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit/Njësia e Personelit në përgjigje të kërkesës së më datë 21.07.2025 ka përcjell sqarimin si vijon: Ankuesit janë kthyer në vendin e punës sipas aktemërimeve dhe kontratave të punës sipas vendimeve të datës 10.03.2025 më nr. të protokollit 1187/205 dhe 25.05.2025 më nr.protokolli 2656/25, pas plotësimit të kushteve për vijueshmëri të rregullt në punë; Pagat janë paguar bazuar në vendimet nga datat: 10.03.2025 më nr. të protokollit 1187/205 dhe25.05.2025 më nr.protokolli 2656/25, ne mënyrë retroaktive nuk janë paguar”.

“Andaj, bazuar në gjendjen e fakteve si me lartë, Kolegji i Këshillit erdhi në përfundimin së akti i kontestuar është nxjerrë më kundërshtim më ligjin material dhe së i njëjti nuk përmban arsyetim të mjaftueshëm, të qartë dhe rrjedhimisht kundërthënës, kështu që, i njëjti është i paligjshëm në kuptim të nenit 52 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4, 1.5, 1.6 dhe 1.7 të Ligjit Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshëm Administrative. Rrjedhimisht, mbi rrethanën së ankuesit janë kthyer në punë, Kolegji aprovoj ankesën si të bazuar, anuloj Vendimin Nr.80/2023 të datës 25.10.2023, të ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe obligoj Sekretarin e Përgjithshëm që ankuesve t’iu kompensoj çdo të ardhur materiale të humbur nga dita e zbatimit të Vendimit Nr.80/2023 të datës 25.10.2023 e deri në kthimin e tyre”./Periskopi/

 

 

 

 

Shpërndaje në: