Krasniqi viziton familjen e Thaçit dhe të tjerëve: Urojmë që ky proces i dalë prej binarëve të përfundojë më shpejt
I pari i PDK’së, Memli Krasniqi ka vizituar familjarët e ish krerëve të UÇK’së të cilët po mbahen në Hagë, raporton Periskopi.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se familja e tyre kanë arsye për të qenë krenare për bijtë e tyre.
Krasniqi po ashtu u shpreh se procesi në Hagë është dalë nga binarët, dhe se uron që të përfundojë ky proces.
Postimi i plotë:
Në pesëvjetorin e shkuarjes në Hagë të Presidentit Hashim Thaçi, Kryetarit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqit, vizituam familjet e tyre për të shprehur solidaritetin tonë të plotë me mallin dhe vuajtjen e tyre për më të dashurit që u mungojnë prej një kohe të gjatë.
Familjet Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi, megjithatë, kanë shumë më tepër arsye për të qenë krenare për bijtë e tyre, sepse ata u takojnë të gjithëve, e mbi të gjitha, Kosovës. Ata ishin bashkë në luftë, bashkë në ndërtimin e shtetit, dhe sot janë bashkë në përballjen me padrejtësinë, me të njëjtin dinjitet që i ka përcjellë gjithmonë.
Urojmë që ky proces, i dalë prej binarëve të drejtësisë dhe arsyes, të përfundojë sa më shpejt me verdiktin që e presim të gjithë, lirinë e çlirimtarëve, që ata të kthehen te familjet dhe te populli i tyre. Kosova ju pret!



