​“Krejt kufomat ishin të ngrira” – dëshmi tronditëse 27 vjet pas masakrës së Reçakut

​“Krejt kufomat ishin të ngrira” – dëshmi tronditëse 27 vjet pas masakrës së Reçakut

“Ishin ngri prej mrazi këta, krejt kufomat e ngrira kishin qenë”, thotë Hasan Metushi, teksa shikon vetën në fotografi i ulur përballë tre trupave të vrarë – babait dhe dy axhallarëve të tij.

Kështu kujton 16 janarin, një ditë pasi Reçaku u përgjak nga gjenocidi që kryen forcat ushtarake dhe policore serbe mbi civilët e pafajshëm shqiptarë. Fshati i cili ndodhet rreth 35 kilometra nga Prishtina, bëri kthesë të madhe në historinë e Kosovës.

Trupat e masakruar të familjes Metushi dhe të 40 të tjerëve prehen në Kompleksin Memorial në Reçak.

Djali i saj, Hasani gati çdo ditë vjen për të vizituar këto varre, por njëri tash e 27 vjet është i zbrazët.

Teksa lëmon emrin e Sahide Metushit të gravuar në përmendore, ai po mundohet të gjej ngushëllim për trupin e pagjetur të nënës së tij.

“Si e kanë vrarë [nënën], serbët e kanë marrë dhe e kanë futur me një ‘pizgaver’, thonë si e kanë parë disa gra në fshat këtu e kanë futur me një qese të bërllokut, të zezë, e kanë futur në ‘pizgaver’, s’po di çfarë automjeti ka qenë dhe e kanë marrë atë. Për të, qe 27 vjet nuk dimë për fatin e saj. Me shpresë qe një ditë, mbajmë shpresë që do ta gjejmë dhe do ta varrosim në mesin e këtyre këtu. Por, po më duket se shumë pak shpresë, shumë pak shpresë kemi. Sepse të kishte pasur më pak kufoma të të zhdukurve besoj që dikush do të kishte lajmëruar që në filan vendin, kaq kufoma, por vetëm ajo, e kanë varrosur ku ka kanë mundur vet edhe ku kanë dashur vet, ku ju ka ardhur më për shtati serbëve”, rrëfen Metushi.

Pavarësisht dhimbjes së madhe, Hasani i cili ishte ushtar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës thotë se sot ndjehen krenarë si familje.

“Gjaku i tyre u bë lule edhe krejt Kosova u çlirua. Ra gjaku i tyre dhe u çliruam. Sepse janë bërë shumë masakra dhe shumë e njeri e ka përjetuar rëndë, në mesin e krejt masakrave ra kjo e qiti në dritë këtë popull dhe këtë masakër. Se kush e di sa do të zgjaste lufta… I kemi bërë me ADN dhe me krejt në Prishtinë, në shoqatën e të zhdukurve dhe kam qenë sa e sa herë dhe jam interesuar të di se a ka, por problem është, për të është problem se vetëm një kufomë ”, shprehet ai.

Shpërndaje në: