“Krimineli famëkeq”, Freedom House shkruan për sulmin në Banjskë, përmend Radojçiqin

“Krimineli famëkeq”, Freedom House shkruan për sulmin në Banjskë, përmend Radojçiqin

Organizata ndërkombëtare “Freedom House” në raportin “Vendet në Tranzicion 2024” ka shkruar për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë, duke thënë se pati “përshkallëzim shqetësues të dhunës në veri”.

“Freedom House” përmend vrasjen e Afrim Bunjakut “në duart e sulmuesve të armatosur”, duke shtuar se Qeveria e Kosovës pretendoi se sulmi ishte i lidhur me autoritetet në Beograd.

Organizata prestigjioze ka shkruar për rritjen e pranisë ushtarake të Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën dhe për kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për tërheqjen e tyre.

“Në shtator 2023, përshkallëzimi i tensioneve çoi në një incident të madh të sigurisë në veri të Kosovës. Sulmi i Banjskës rezultoi në vdekjen e një oficeri të Policisë së Kosovës në duart e sulmuesve të armatosur. Qeveria e Kosovës pretendoi se sulmi ishte i lidhur me autoritetet në Beograd dhe e cilësoi incidentin një sulm terrorist që synonte t’i hapte rrugën Serbisë për të aneksuar veriun. Kosova. Serbia e rriti përkohësisht praninë ushtarake afër Kosovës, duke ulur më vonë përqendrimin e saj të forcave, por duke mbajtur një alarm të shtuar të sigurisë. Shtëpia e Bardhë tha se grumbullimi serb ishte “i paprecedentë” dhe përfshinte tanke dhe artileri të sofistikuara dhe i kërkoi Beogradit të tërheqë forcat nga kufiri i Kosovës.

Në raport përmendet emri i kryekriminelit Milan Radojiçiq, për të cilin “Freedom House” thotë se është bashkëpunëtor i ngushtë i Vuçiqit.

“Milan Radojiçiq, ish nënkryetari i Listës Serbe dhe një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit serb Vuçiç, mori përgjegjësinë për sulmin dhe janë raportuar gjithashtu lidhje të tjera midis sulmuesve dhe autoriteteve të Beogradit”.

Organizata emrin e Radojiçiqit e përmend edhe për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke e quajtur Radojiçiqin “kriminel famëkeq”.

“Një nga rastet më të ndjeshme gjyqësore, vrasja e politikanit serb të Kosovës Oliver Ivanoviq në Mitrovicën e Veriut në vitin 2018, vazhdoi në vitin 2023. Prokurorët e lidhën vrasjen me Radojiçiqin, kriminelin famëkeq, ish-zyrtar të Listës Serbe dhe udhëheqësin e sulmit në Banjska.”

Lidhur me sulmin në Banjskë, raporti shkruan se u arrestuan 8 serbë prej të cilëve “katër janë liruar që atëherë në mungesë të provave”.

“Katër raste janë ende të hapura ndërsa hetimet po vazhdojnë.”

Shpërndaje në: