Kroacia do t’i blejë 89 tanke në vlerë prej 145 milionëve nga SHBA

Kroacia do t’i blejë 89 tanke në vlerë prej 145 milionëve nga SHBA

Kroacia ka arritur marrëveshje me amerikanët për blerjen e automjeteve luftarake “Bradley”, për të cilën do të ndajë 145.3 milionë dollarë.

Kështu së paku ka njoftuar sot kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili ka zbardhur edhe disa detaje, raporton index.hr.

“Me palën amerikane janë arritur marrëveshje në lidhje me mjetet luftarake të këmbësorisë për të cilat kemi negociuar gjatë viteve të fundit”, tha Plenkoviq.

Bëhet fjalë për mjete luftarake të blinduara M2A2 ODS ndërsa vlera totale arrin shifrën e 196.4 milionë dollarëve. Gjithashtu është bërë e ditur se 51,1 milionë dollarë do të jenë donacion i SHBA-ve, gjë që do të thotë se Kroacia do të paguajë 145,3 milionë dollarë.

Kroacia do të marrë 62 automjete luftarake, 22 automjete për pjesë këmbimi dhe 5 mjete stërvitore, ndërsa modernizimi i tyre do të bëhet në Slavonski Brod. Pajisjet përfshijnë një top automatik 25 mm, një mitraloz të kalibrit 7.62 dhe raketa antitank.

Plenkoviq theksoi se kjo marrëveshje, e cila është negociuar që nga viti 2017, ka përmbushur disa qëllime strategjike të Kroacisë – forcimin e marrëdhënieve aleate me Shtetet e Bashkuara, uljen e çmimit të automjeteve në krahasim me negociatat e mëparshme.

Me anëtarësimin e saj në aleancën e NATO-s, Kroacia ka marrë përsipër detyrimin që deri në vitin 2026 të formojë një brigadë të mesme të këmbësorisë, e cila kërkon pajisje të përshtatshme për ushtrinë tokësore.

Shpërndaje në: