Kryeministri ukrainas paralajmëron “Luftë të Tretë Botërore” nëse e humb luftën me Rusinë

Kryeministri ukrainas paralajmëron “Luftë të Tretë Botërore” nëse e humb luftën me Rusinë

Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal ka thënë se do të ketë “Luftë të Tretë Botërore” nëse Ukraina e humb luftën e saj me Rusinë.

Në një intervistë për BBC-në, Shmyhal i kërkoi Kongresit amerikan që ta miratojë një projekt-ligj në të cilën parashihet një ndihmë në vlerë prej 61 miliardë dollarësh për Kievin.

Ai ka shprehur “optimizëm” se ligjvënësit amerikanë do të miratojnë masën e kontestuar ashpër.

Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për paketën këtë të shtunë. Propozimi përfshin financim për Izraelin si dhe Indo-Paqësorin.

Duke folur për BBC në Uashington të mërkurën, kryeministri Shmyhal ka thënë për ndihmën e SHBA-së për sigurinë se “këto para na duhen dje, jo nesër, jo sot”.

“Nëse ne nuk mbrojmë, Ukraina do të bjerë. Pra, sistemi global i sigurisë do të shkatërrohet dhe e gjithë bota do të duhet të gjejë një sistem të ri sigurie. Ose, do të ketë shumë konflikte, shumë lloje të tilla luftërash, dhe në fund të fundit, kjo mund të çojë në Luftën e Tretë Botërore”, është shprehur ai.

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina lëshon një paralajmërim kaq alarmues për pasojat e humbjes së saj të mundshme.

Vitin e kaluar, presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se nëse Rusia e fiton konfliktin, ajo mund të pushtonte Poloninë, duke shkaktuar Luftën e Tretë Botërore.

Shpërndaje në: