Kryetari i Akademisë së Shkencave është proqeveritar, prandaj e përfshinë në demarkacion
Në një intervistë për Periskopi.com, Mushkolaj shpreh besimin e tij se çështja e murit është diskutuar në Bruksel madje thotë se Kosova bëri kompromis.
Sipas tij, Kosova duhet të propozojë tema për dialog siç janë dëmet e luftës, të pagjeturit, kthimin e fondeve pensionale dhe njohjen e shtetësisë.
Mushkolaj në intervistë për Periskopi flet edhe për matjen e territorit dhe përfshirjen e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami.
Këtë të fundit e quan proqeveritar, dhe sipas tij, Qeveria me këtë gjest po synon zvarritjen e procesit të demarkacionit me Malin e Zi.
A duhet vazhdoj dialogu dhe si e sheh përfshirjen e presidentëve në të?
Mushkolaj: Dialogu duhet të vazhdojë, por jo me qasjen e njëjtë si deri më tash. Pala kosovare duhet të insistojë që me Serbinë të dialogohet si dy shtete të pavarura dhe duhet, po ashtu, të propozojë tema për dialog – tema që kanë të bëjnë me dëmet e luftës, të pagjeturit, kthimin e fondeve pensionale dhe njohjen e shtetësisë.
A beson se çështja e murit është diskutuar në Bruksel?
Mushkolaj: Çështja e murit është diskutuar në Bruksel dhe duket se do të zgjidhet në bazë të pajtimit që është arritur atje. Muri është rrënuar ngase janë pajtuar serbët. Fatkeqësisht për një çështje të brendshme, siç është ndërtimi i një muri ilegal, pala kosovare ka pranuar të diskutohet në Bruksel. Diskutimi nënkupton kompromis.
Si e komentoi përfshirjen e Hivzi Islamit në matjen e territorin?
Mushkolaj: Me krijimin e komisionit për matjen e territorit Qeveria po synon jo ta zgjidhë, por ta zvarrisë çështjen e demarkacionit. Ndërkaq, me caktimin e Islamit në krye të komisionit, Qeveria automatikisht i përjashton opozitën e ekspertët.
Çka synoi me këtë veprim Qeveria dhe a beson që mund të zgjidhet problemi me përfshirjen e Islamit?
Mushkolaj: Qasja e Islamit është tërësisht proqeveritare. Problemet me demarkaconin janë evidentuar dhe Qeveria duhet të punojë që t’i përmirësojë ato, e jo ta bllokojë procesin.
U mësua se BE ka kërkuar që PDK dhe LDK të publikojë financimin e subjektit, por Mustafa sërish reagoi në rrjete sociale sikur gjithmonë e donte këtë, a beson se do kuptohet kush janë financuesit e tyre?
Mushkolaj: Jotransparenca në financimin e partive politike është problem i madh. Nuk mjaftojnë vetëm raporte formale të prezantuara në ëeb faqet partiake. Partitë politike vazhdojnë të financohen nga burime të dyshimta, në këmbim të favoreve milionëshe që përfitohen kur partitë e marrin pushtetin./ Periskopi



