Kryetarit të Odës Ekonomike nuk i bën shumë përshtypje skandali me mishin e Brazilit, viziton kompaninë dhe i shpreh mirënjohje
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, vetëm një javë pasi u publikua skandali nga mediat në Shqipëri se “kompania kosovare, “Apetit Group” po importon mish nga Brazili dhe po e shet në Shqipëri si të sajën”, ka vizituar këtë kompani.
Rafuna gjatë vizitës në këtë kompani, sic njofton faqja e Odës Ekonomike të Kosovës, i është shprehur mirënjohës për pritjen dhe prezantimin që i është bërë atje.
Siç duket, ky skandal i madh, duket se nuk i ka bërë shumë përshtypje kryetarit të OE-së, ku i ka uruar kompanisë që sa më shpejtë t’i tejkalojë këto vështirësi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 3 pril kanë konfirmuar se janë nisur hetimet ndaj këtij rasti.
Skandali me “Apetit Group” shpërfaqi një sistem të tërë të korruptuar në Ministrinë e Bujqësisë ku një kompani, përmes lidhjeve me shtetin, arrin të falsifikojë disa hallka kontrolli dhe përfundimisht ta shes si mish të freskët të Kosovës, mishin e Brazilit, për të cilin nuk i dihet data.
Skandali me mishin brazilian: Reagon kompania “Apetit sh.p.k”, i quan të pavërteta lajmet në media
Kujtojmë gjithashtu se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka urdhëruar ndaljen e menjëhershme të lëshimit të dokumenteve për eksport për biznesin e “Apetit”.
“Është formuar komisioni profesional i cili do të bëjë auditimin (gjurmushmërin/përputhshmërinë) e të gjitha hyrje daljeve të biznesit për të vërtetuar dyshimin e ngritur. Po ashtu janë informuar edhe autoritete tjera qe merren me taksat (doganat, ATK)”, ka thënë zëdhënësi i AUVK-së Lamir Thaçi për Periskopin.
Çfarë ka ndodhur?
Kompania me bazë në Kosovë “Apetit sh.p.k” blen mish nga Brazili, i cili vjen fillimisht në Shqipëri e që për destinacion final ka Kosovën.
Kur kjo kompani e merr mishin nga Brazili, përmes lidhjeve ilegale dhe korrupsionit në Agjencinë Shtetërore të Kosovës për Ushqim dhe Veterinari, që është në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, i heq vulat e Brazilit dhe i zëvendëson me vula të shtetit të Kosovës.
Më pas këtë mish e shet në Kosovë, por edhe e eksporton në Shqipëri.
Vetëm në vitin 2023 kishte rreth 600 tonë mish të eksportuar në Shqipëri nga Kosova.
Ky mish eksportohet si “mish vici i freskët i Kosovës”.
Në paketime vendosen vula të Kosovës me data fiktive, se kinse gjethet janë prerë vetëm para një muaji në Kosovë.
Këtë skandal fillimisht e zbuloi emisioni Stop në Klan të Shqipërisë.
Për t’u kryer ky operacion kriminal duhet të funksionojë një zinxhir i tërë i mashtrimit, nga pjesa e veterinarit që nuk bën kontroll të gjetheve të prera, te inspektori i AUVK-it, në Doganën e Kosovës e deri te pranuesi në Shqipëri.



