Kryeziu liston shkeljet që Serbia i ka bërë, fajëson BE-në që nuk ka marrë masa

Kryeziu liston shkeljet që Serbia i ka bërë, fajëson BE-në që nuk ka marrë masa

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka listuar një sërë gjërash me anë të së cilave thotë Serbia e ka shkelur Marrëveshjen Bazike.

Kryeziu tha se pavarësisht që BE-ja e pranon se procesi i dialogut nuk ka ecur mirë, sipas tij, mungesa e progresit nuk është për shkak të të dyja palëve, teksa përmendi shkeljet që Serbia i ka bërë vetëm dy javë pasi ka pranuar Marrëveshjen Bazike.

“Që atëherë, 90 ushtarë të KFOR-it u plagosën në veri të Kosovës nga anëtarë të dhunshëm të bandave nën vëzhgimin e krerëve të Listës Serbe në maj 2023. Në shënjestër ishin edhe gazetarët dhe Policia e Kosovës. Paradoksalisht, vetëm një muaj më pas BE vendosi masa kundër Kosovës, jo Serbisë”.

“Në qershor të vitit 2023, 3 policë të Kosovës u rrëmbyen nga forcat speciale serbe brenda territorit të Kosovës. Përkundër dëshmive të shumta të ofruara nga institucionet tona që vërtetojnë se Serbia ka shkelur integritetin tonë territorial, asnjë masë nga BE-ja nuk është marrë ndaj Serbisë”, shkroi Kryeziu.

Tutje, Kryeziu përmendi edhe vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku në sulmin terrorist të 24 shatorit në Banjskë, e edhe faktin që krimineli Milan Radoiçiq ka marrë përsipër organizimin e sulmit, ndërsa u takua edhe me ish-ambasadorin serb në ShBA, Marko Gjuriq.

“Këtë muaj, mbi një mijë qytetarë të Kosovës janë ndaluar dhe keqtrajtuar arbitrarisht nga autoritetet serbe në kufi, pa asnjë arsye. Në mesin e tyre ishin 10 policë të Kosovës, 4 pjesëtarë të komunitetit tonë serb, përfshirë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës”.

“Në të njëjtën kohë, Sadik Duraku, një shqiptar i cili është gjithashtu shtetas britanik, më pas është ndaluar dhe akuzohet pa të drejtë. Megjithatë, ndaj Serbisë nuk është marrë asnjë masë”, shkroi tutje Kryeziu.

Më tej, zëdhënësi i qeverisë tha se veprimet e fundit nga Serbia kanë ardhur në mënyrë hakmarrëse vetëm një ditë pasi Asambleja Parlamentare votoi pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ky anëtarësim kundërshtohet ashpër dhe publikisht nga Serbia, pavarësisht nenit 4 të Marrëveshjes Bazike. Kjo edhe të tjera dëshmojnë se nuk bëhet fjalë për ‘faj të të dyja palëve’ por për një rast tjetër dypalësh”.

Shpërndaje në: