Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për raportimin e djeshëm për Ukshin Hotin: Artikull krejtësisht i pavërtetë

Kryqi i Kuq Ndërkombëtar për raportimin e djeshëm për Ukshin Hotin: Artikull krejtësisht i pavërtetë

Gjatë ditës së djeshme, Albanian Post ka raportuar se janë gjetur dhe do të kthehen në Kosovë eshtrat e Ukshin Hotit. Periskopi menjëherë ka pyetur Kryqin e Kuq Ndërkombëtar [KKN] për të marrë një përgjigjje.

AP raportoi se nga burime të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar [KKN] kishte mësuar që janë gjetur eshtrat e veprimtarit të shquar kombëtar Ukshin Hotit, dhe të cilat do të ktheheshin në Kosovë.

KKN për Periskopin ka deklaruar se artikulli në fjalë ishte krejtësisht i pavërtetë.

“Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq [ICRC] është në dijeni për artikullin e publikuar në Albanian Post më 27 shtator 2021, që përmban informacione të pasakta të atribuuara një burimi anonim të Kryqit të Kuq në lidhje me mbetjet e Profesorit Ukshin Hoti,” – nis përgjigja e KKN, raporton Periskopi.

Aty theksohet që raportimi në fjalë është krejtësisht i pavërtetë dhe i pabazuar në informacione të marra nga KKN.

“Për më shumë, ICRC fuqishëm bashkëndjen me familjen e profesorit Hoti,” – i ka thënë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, Periskopit.

Më poshtë keni përgjigjen e plotë nga KKN dhënë redaksisë tonë në gjuhën shqipe:

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK) është në dijeni të një artikulli që është publikuar nga portali i lajmeve “Albanian Post” më 27 shtator 2021, i cili përmban informacione të pasakta që i atribuohen një burimi të paemëruar  të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lidhur me eshtrat e profesorit Ukshin Hoti.

KNKK-ja dëshiron të theksojë fuqishëm se ky raport është tërësisht i pasaktë dhe nuk bazohet në asnjë informacion të marrë nga KNNK-ja.

Për më tepër, KNKK-ja solidarizohet me familjen e profesorit Hoti, tek i cili artikulli ka pasur një ndikim negative emocional. Raportimi i pasaktë vetëm e përkeqëson shqetësimin e familjarëve të njerëzve të zhdukur.

KNKK -ja ka punuar në emër të familjeve të personave të zhdukur në Kosovë për më shumë se 20 vjet, por përgjegjësia për të informuar familjet në lidhje me identifikimin e të dashurve të tyre u takon autoriteteve përkatëse qeveritare që merren ekskluzivisht me çështjen e personave të zhdukur. Si rregull, emrat e të identifikuarve nuk ndahen me median. Është në vendimin e familjeve ta bëjnë këtë, nëse duan.

Për hir të familjeve të personave të zhdukur, të cilët kanë jetuar në dhimbje dhe ankth për një kohë kaq të gjatë, KNKK dëshiron ta shfrytëzojë këtë mundësi për të lavdëruar të gjithë gazetarët dhe mediat që mbulojnë këtë çështje me ndjeshmëri dhe saktësi, dhe të shmangin shtimin e barrës së rëndë që familjet e personave të zhdukur kanë mbajtur mbi supe për një kohë kaq të gjatë. Raportimi i pasaktë, edhe kur nuk është i qëllimshëm, prish përpjekjet e të gjithë njerëzve me vullnet të mirë për të hedhur dritë mbi fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur.

Gjitha të mirat,

Shpërndaje në: