Ku çalon logjika ekonomike e intervistës së Samir Manes!

Ku çalon logjika ekonomike e intervistës së Samir Manes!

Nga Ola Xama

Në një intervistë të publikuar disa ditë më parë në Opinion, një nga njerzit më të pasur në Shqipëri ndau me publikun disa detaje se si ka arritur këtu ku është sot. Diskursi i komunikimit të tij i mëshonte një pike: jam pasuruar në Austri dhe kam ardhur në Shqipëri me disa milion euro në xhep të investoj pasurinë që bëra andej. Në fakt po të dëgjoje intervistën kuptoje se Mane nuk është pasuruar nga austriakët, por nga shqiptarët. Vetë ai rrëfeu se tregtinë e nisi duke blerë lirë televizorë në Austri dhe më pas ia shiste shqiptarëve 3-4 herë më shtrenjtë. Erdhi pastaj në Shqipëri dhe të ardhurat e tij vetëm janë shumëfishuar.

Mane e përshkruante veten si një njeri i lindur për të bërë biznes, që e kishte tentuar dhe në kohën kur ishte student në Tiranë. Kjo fjali të krijon imazhin se ai është i zoti në këtë fushë dhe me nuhatje. Ky konstatim duket kontradiktor po t’i vesh përballë një tjetër fjali që tha më vonë: shiti minierën e Bulqizës sepse nuk ishte i aftë të ndiqte konjekturat e tregjeve ndërkombëtare. Pra, kur çmimet e një tregu udhëhiqen nga bursa, ku çdo gjë është transparente, e lirë dhe kërkohen njohuri, nuk është shumë i zoti.

Po ku është treguar i zoti Samir Mane? Në vendet me tregje të kapura. Shumica e tregtisë së tij është në Shqipëri, rajon dhe vendet e lindjes. Ai tha se më shumë se gjysma e të ardhurave të grupit të tij gjenerohen në Shqipëri.

Po ndërton një rezidencë në SHBA dhe e tregonte si një vend pa probleme për marrjen e lejes së ndërtimit. Po, Amerika është një vend që ka liri ekonomike që ne nuk i kemi. Por atje nuk të jep shteti tokë falas, ndaj dhe Samiri para SHBA-së ka zgjedhur Shqipërinë. Atje shteti nuk të le të kesh dhe bankë, të jesh dhe ndërtues, të japësh dhe kredi me bankën për apartamentet që shet në ajër. Këtu i mbyllin sytë të gjithë, ministri, bankë qëndrore, inspektoriate, kushdo.

Tha që kishte zgjedhur të mos ishte pjesë e tenderave publikë, por kjo nuk është tërësisht e vërtetë. Kompania e tij është bërë aksionere në disa projekte pasi firma të tjera kanë fituar garën. Por dhe tenderat nuk kanë ç’i duhen përsa kohë ndërton aty ku nuk e bën dot askush dhe shteti i çon rrugën, aeroportin, rrjetin e energjisë dhe ai shet me çmime që shkërmoqin konkurrencën.

Edhe pse njeriu më i pasur dhe me grupin më të madh në Shqipëri, 755 milion euro të ardhura për vitin 2021, buxheti për bamirësi është 2 milion euro. Vetëm 0.26% e të ardhurave, kur standardi për zbatimin e politikës së përgjegjësisë korporative është mbi 2%.

Në fund bëri thirrje që të rinjtë të mos përfshihen nga ideja e pasurimit të shpejtë përmes rrugëve të jashtëligjshme, pasi mjaftonte të lexonin statistikat që thonë “se 98% e atyre që kanë tentuar këto rrugë kanë përfunduar keq”. Çështja është se ata që janë pasuruar e nuk janë kapur kush i di sa përqind janë? Policia apo ndonjë gjykatë që nuk i ka dënuar? Jo se thirrja është e gabuar, por më vjen çudi që teoritë konspirative të bindin njeriun që duhet të ishte ndër më të mençurit në teoritë e ekonomisë së zbatuar.

Por me sa duket pasuria e tij nuk lidhet me teorinë, por me krijimin e një skeme pasurimi të ndërtuar mbi logjikën e monopoleve dhe shkatërrimit të konkurrencës.

P.S.
Nuk do t’i kisha shkruar këto rreshta po të mos tentohej propaganda e idesë se “u pasurova në Austri, erdha investova në Shqipëri, e tani që u bëra shumë i madh po shkoj në Amerikë”. E kundërta është e vërtetë: u pasurua në Shqipëri dhe paratë që bëri këtu po i çon jashtë!/Marrë nga Facebook-u i autores

Shpërndaje në: