Ku është fshehur NISMA e Fatmir Limaj?

Ku është fshehur NISMA e Fatmir Limaj?

Janë bërë më shumë se një muaj që kur kryetari i NISMA’s, Fatmir Limaj, lëshoi një deklaratë ‘bombë’ në një emision televiziv e që edhe sot e kësaj dite po diskutohet. Rreth 10 ditë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit – Limaj i cili siguroi tre deputetë në një koalicion të përbashkët me AAK’në – i hoqi “vijat e kuqe” me Albin Kurtin. Prej asaj ditë, i njëjti ‘nuk u bë i gjallë’…, shkruan Periskopi.

“Kush më fton, unë jam i gatshëm të ulem në tavolinë – kur bëhet fjalë për tema nacionale….”, kështu deklaroi në Debat Plus, kreu i NISMA’s. Kjo mundësi që iu dha Kurtit nga Limaj, nuk u prit mirë nga opinioni publik. E gjitha kjo, pasi kreu i NISMA’s njihet si ndër më kritikët ndaj Kurtit për qeverisjen pesë vjeçare të tij.

Limaj u ‘zhduk’ nga kamerat, po hija e tij u shfaq sërish nëpër media. Javën që lamë pas, burime të Periskopit treguan se i pari i NISMA’s dhe ai i Vetëvendosjes, kanë darkuar në një nga restorantet e kryeqytetit.

Darka u thirr për të diskutuar për formimin e Qeverisë.

Tema kryesore e takimit ka qenë mundësia e krijimit të një koalicioni të ri qeveritar.

Siç mori vesh Periskopi, Limaj ka kërkuar nga Kurti hiç më pak se: Kryetarin e Kuvendit, tre ministri dhe tre zëvendësministra.

Poashtu, në këtë tavolinë u diskutua edhe për borde.

Megjithatë, asgjë zyrtare rreth këtij takimi nga këto dy parti nuk pati.

“Shpresat” që dikush do të deklarohej sot nga NISMA rreth krejt kësaj, ishin ditën e sotme.

Teksa Glauk Konjufca priti sot në takim përfaqësues të partive politike për të diskutuar rreth organizimit të seancës konstituive të Kuvendit që do të mbahet më 15 prill – edhe një përfaqësues i subjektit të NISMA’s mori pjesë.

Të gjithë këta pjesëmarrës u deklaruan para mediave pas përfundimit të takimit – vetëm Mevludin Krasniqi i NISMA’s nuk u paraqit.

A ishte edhe ky veprim në koordinim me të parin e kësaj partie – që t’i shmang mediat – nuk dihet.

Në rast se nuk do të ketë paraqitje tjetër mediale nga Fatmir Limaj, të njëjtin mund ta shohim më datë 15 prill, kur pritet të mbahet seanca konstituive./Periskopi/

Shpërndaje në: