Ku shkoi keshi 600 mijë euro: Kallëzimi penal i AKK-së, rrit presionin për shkarkimin e Martin Berishajt

Ku shkoi keshi 600 mijë euro: Kallëzimi penal i AKK-së, rrit presionin për shkarkimin e Martin Berishajt

Pasi Agjencia Kundër Korrupsionit, ka dorëzuar kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, opozita në Kosovë kërkon shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Për Vlora Çitakun e PDK-së, megjithë kallëzimin që trajton deklarimin e rrejshëm të pasurisë, shteti duhet të ketë edhe disa përgjigje të rëndësishme në disa pyetje, si: ku kanë shkuar 600 mijë euro, si iu dha shtetësia brenda një ditë ambasadorit Berishaj, si kaloi filtrat e AKI-së.

“Kallëzimi penal i agjencionit anti korrpucion ndaj Martin Berishajt është i mirëpritur. Megjithatë, ky kallëzim trajton vetëm deklarimin e rrejshëm të pasurisë. Ne ende nuk kemi përgjigje në disa pyetje fundamentale:  Ku janë dhënë 600.000 euro Si është pajisur Berishaj me shtetësi brenda ditës  Si i ka kaluar Berishaj filtrat e verifikimit nga AKI. Shkarkimi i vonuar tashmë do të duhej të ishte vetëm hapi i pare”, shkruan Çitaku.

Zëdhënësja e LDK-së, Jehona Lushaku Sadriu, poashtu tha se ambsadori Martin Berishaj, duhet të shkarkohet menjëherë.

“Agjencia Anti-Korrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj me parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni. Hapja e hetimeve, por edhe përfshirja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rëndë imazhin e vendit tonë, rrjedhimisht e bëjnë të pamundur përfaqësimin e shtetit”, ka shkruar në Facebook zëdhënësja e LDK-së, shkruan Periskopi.

 Time Kadrijaj, nga AAK, thotë se ‘i privilegjuari i Kurtit dhe Osmanit” është turpi i kësaj qeverie.

“Ambasadori Martin Berisha brenda natēs e mori shtetesinē e Kosovēs. Sepse sipas ligjit tē sherbimit tē jashtēm ashte kusht ta ketē shtetēsin per tu bērē ambasadorē. Pastaj plasi skandali ku ishte i pērfshir ky ambasadorē i priveligjuari i Osmanit e Kurtit. Me vonē verifikuam se edhe nē mbledhjet e komisionit pēr punē tē jashtēm momentin e intervistimit nuk ka pas kourum po deputetet e mazhorancēs janē thirrē nē telefon dhe kane jap votēn pēr duke shkel rregulloren e Kuvendit. Per kētē ju kam drejtuar Kryetarit  tē Kuvendit, Kryesisē sē Kuvendit dhe zyres ligjore pēr interpretim. Dhe zotēria i plotfuqishēm ka mashtruar eshe ne deklarimin e pasuris ku agjensioni antikorrupsion ka ngrit padi. Kerko falje e tērhiqu se nuk ke kredibilitet me e pērfaqēsuar Republikēn e Kosovēs. Turp pēr kētē qeveri”, shkruan Kadrijaj, përcjell Periskopi.

Për rikujtim: Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.

Tri ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, në Slloveni ka shpërthyer një skandal i madh financiar, ku është i përfshirë kryetari i Partisë së Lirisë, Robert Golob, e që sipas të gjitha gjasave edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milion eurosh, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, z. Berishaj.

Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar tregonte se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe, janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.

Televizioni slloven ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

“Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Ajo çfarë mund të konstatohet është që në të dhënat e regjistrimit të biznesit, MB Consulting, është edhe numri i njëjtë edhe emaili i njëjtë i z. Berishaj, të cilat ai i ka në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në faqen e tij të Facebook’ut.

“Televizioni Planet ka mësuar se kompania malazeze (ajo ku pronar është Berishaj) është themeluar vetëm 10 ditë përpara se të bëhej pagesa e parë e parave nga kompania GEN e Beogradit”.

Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.

 

Shpërndaje në: