Kurteshi kërkon fletëvotime më të mëdha për votuesit me vështirësi në lexim
Anëtari i KQZ-së nga radhët e VV-së, Sami Kurteshi, në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka ngritur çështjen e asistencës gjatë votimit, duke theksuar rëndësinë e përmirësimit të procesit për zgjedhjet e ardhshme.
Ai propozoi që KQZ të shtypë fletëvotime me dizajne në madhësi më të madhe dhe t’i vendosë ato në çdo vendvotim, me qëllim që qytetarët që kanë vështirësi në lexim të orientohen më lehtë, raporton EO, transmeton Periskopi.
“Po e ngrit një çështje që ka rëndësi. Kemi një element në zgjedhjet e fundit lokale, në raundin e dytë kemi bërë ndryshim për votimin me asistencë. Ka pasur pro e kundër, ankesa. Mendoj se duhet të mbetet ashtu. Propozoj që KQZ-ja mundësisht të shtypë fletëvotimet me dizajnet që ka, në madhësi të madhe, sepse ka njerëz që thonë ‘nuk po shoh mirë’, dhe të ngjiten në çdo vendvotim. Që njerëzve, përveç sqarimeve kur u jepet vendvotimi dhe konsultohet, t’u jepet edhe kjo mundësi, në mënyrë që të mos kemi arsye të paktën të thonë ‘s’po shoh mirë’. Sepse mendoj që është bërë veprim i mirë. KQZ duhet t’i marrë të gjitha masat me masa ndihmëse”, ka thënë Kurteshi./Periskopi/



