Kurti e “han foren” e Pecit – ky i fundit emëroi kundërligjshëm tezaken e Presidentes, shefe të krejt administratës (DOK.)

Kurti e “han foren” e Pecit – ky i fundit emëroi kundërligjshëm tezaken e Presidentes, shefe të krejt administratës (DOK.)

Një skandal e ka përcjellur Ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci, që nga punësimi i Venera Çerkinit, vajzës së tezes Presidentes, Vjosa Osmani. Në metoda të jashtligjshme, e njëjta ka avancuar nëpër pozita të ndryshme, ku tani – siç raportoi ditë më parë Periskopi – ajo gëzon postin e “Sekretarit të Përgjithshëm në MBPZHR”. Por, ku jemi tek emërimi i fundit në këtë pozitë, ministri Faton Peci, tezaken e Vjosa Osmanit e vendosi në këtë pozitë duke mos respektuar procedurat ligjore. Krejt çka ndodhi, Periskopi ua sjell të detajuar në vazhdim…

Enis Rrustemi, Periskopi

Më 15 prill, Periskopi publikoi një artikull për avancimin e Venera Çerkinit në pozitën “Sekretare e Përgjithshme”. Kjo ishte një avancim i kësaj të fundit, pasi e njëjta e ushtronte këtë pozitë si “U.D/zëvendëse” që nga shtatori i vitit 2023.

Në hulumtimin e bërë nga Periskopi, del që ky transfer i Çerkinit u bë duke mos respektuar procedurat ligjore, madje edhe duke e keqinterpretuar Ligjin Nr.08/L-197 për Zyrtarë Publik – neni 65.

Periskopi ka dërguar pyetje drejt MBPZHR-së duke pyetur nëse është hapur konkurs i brendshëm para emërimit të znj. Çerkini në këtë pozitë ose në çfarë mënyre është bërë transferimi i saj në pozitën “Sekretare e Përgjithshme”.

Të njëjtit janë përgjigjur duke iu referuar pikërisht Ligjit Nr.08/L-197 për Zyrtarë Publik – neni 65.

“Në lidhje me çështjen e transferimit të znj. Çerkini nga pozita e Drejtoreshës Ekzekutive në AZhB në atë të Sekretares së Përgjithshme në MBPZhR, po ju japim një përmbledhje me procedurat ligjore që përfshihen në këtë proces, të cilat janë konfirmuar dhe konsultuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MBP), institucion përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Zyrtarët Publik dhe akteve nënligjore për shkërbimin civil në Kosovë.

Ligji Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publikë (LZP), në nenin 65 ka përcaktuar procedurën e transferimit të përhershëm për interes të institucionit. Paragrafi 1 i këtij neni përcakton se “Nëpunësja/i civil mund të transferohet për interes të institucionit në mënyrë të përhershme në vend tjetër të punës për ushtrimin e funksioneve të njëjta ose të ndryshme, në të njëjtën kategori të shërbimit civil. Për rastet kur nëpunësja/i civil është e nivelit drejtues të ulët, mesëm apo të lartë, transferimi sipas këtij neni bëhet për periudhën e mbetur të mandatit për të cilin është emëruar.” Pra, ky paragraf në mënyrë shprehimore përcakton edhe mundësinë e transferimit të përhershëm për interes të institucionit edhe të nëpunësit të nivelit të lartë drejtues.

Paragrafi 5 i nenit 66 të LZP-së dhe paragrafi 5 i nenit 11 të Rregullores (QRK) Nr. 02/2024 për Transferimin e Nëpunësve Civil, përcakton se transferimi i nëpunësit civil në një institucion tjetër të shërbimit civil, bëhet në pajtim me pëlqimin e nëpunësit dhe me marrëveshje në mes të institucioneve. Në rastin konkret, duke qenë se transferimi bëhet nga entitete brenda të njëjtit institucion, pra nga Agjencia në Ministri, dhe duke qenë se bëhet fjalë për nëpunësin e lartë drejtues, që në rast të transferimeve të kategorive tjera do të nxirrte vendimin e transferit, DMZP ka rekomanduar që transferi të bëhet me vendim të titullarit të institucionit në këtë rast të Ministrit të MBPZHR, duke marrë parasysh pozitën e ministrit si mbikëqyrës i drejtpërdrejtë të nëpunësit të kategorisë së lartë drejtuese, siç edhe përcaktohet me nenin 4 paragrafi 1.8.1. të LZP-së”, thuhet në përgjigjen e MBPZHR-së për Periskopin.

Megjithatë, nga MBPZHR-ja nuk përmendin askund pikën 7 të këtij Ligji ku thotë se;

“7. Qeveria me akt nënligjor, me propozim të ministrisë përgjegjëse për administratë publike miraton rregullat për zbatimin e këtij neni”, që do të thotë se Ministria duhet bërë paraprakisht një propozim tek Qeveria për t’u miratuar ky vendim.
Një gjë e tillë, nuk ndodhi. Këtë e dëshmon edhe vetë Qeveria se emërimin e Venera Çerkinit në pozitën “Sekretare e Përgjithshme” nuk e njeh.

Si u mësua se Qeveria nuk është në dijeni për vendimin e Pecit për ta emëruar tezaken e Vjosa Osmanit shefe të krejt administratës?

Periskopi ka siguruar gjatë ditës së djeshme një vendim të Qeverisë për themelimin e një Komisioni për Pranimin për Kategorinë e Lartë Drejtuese për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Këtu mësohet shkelja e parë e Pecit në emërimin e znj Çerkini.

Peci, nuk ka dërguar në Qeveri një propozim, siç bëri MPJ-ja, por “krye n’veti” ka marrë vendim për të bërë transfer të përhershëm të tezakës së Vjosës në pozitën “Sekretare e Përgjithshme”.

Për këtë, Periskopi gjithashtu ka dërguar pyetje drejt Qeverisë, të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Në përbërje të Komisionit të lartpërmendur figuron emri i Venera Çerkinit. Këtu, Qeveria të njëjtës iu referohet ende me titullin “U.D” (shih dok. më poshtë).


Pra, Qeveria pavarësisht se kanë kaluar 15 ditë nga vendimi i Pecit për ta emëruar si “Sekretare e Përgjithshme” znj. Çerkini, ata nuk janë në dijeni për këtë. Kjo bie ndesh me Ligjin e lartcekur.

Me hapa të shpejt, Peci u kujdes ta avancon nëpër pozita tezaken e ish- shefes së tij në GUXO, Vjosa Osmanit

Venera Çerkini fillimisht kishte punuar si Drejtore e Departamentit Ligjor në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Më pas, në ministrinë e Bujqësisë, ajo kishte gjetur burrin e saj Artan Çerkinin. Edhe ky i fundit ishte vendosur në pozitën e shefit të kabinetit të ministrit të Bujqësisë [Faton Pecit].

Ajo ishte emëruar në pozitën e drejtores në Drejtorinë për Pagesa Direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZhB). Tutje, ajo kishte marrë një tjetër pozitë të rëndësishme në këtë institucion. Meqë, Kryeshef ekzekutiv në AZhB nuk kishte, Çerkini u vendos si zëvendësuese e Kryeshefit Ekzekutiv në këtë agjenci nga data 11 gusht e 2021-ës.

Periskopi në atë kohë, kishte gjetur se tezakja e Vjosa Osmanit, në listën e rezultateve për këtë pozitë, nuk ishte as në listën e ngushtë të britanikëve.

Nga intervista me gojë dhe me shkrim, Çerkini ka marrë gjithsej 76.76 pikë, ndërsa kandidati i dytë i eliminuar ka marrë 76.26 pikë. I treti 75. 73 pikë.

Siç shihet nga grumbillimi i pikëve të dy kandidatët kanë dal më të mirë në intervistën me shkrim, ndërsa Çerkini është vlerësuar më shumë me gojë. Dihet se intervista me shkrim mbetet dëshmi e dokumentuar, ndërsa me gojë jo.

Pra dallimi i pikëve i të parit me të dytin, është aq milimetrik.

Ky ka qenë konkursi i dytë për këtë pozitë, pasi që siç raportonte Periskopi, i pari ishte anuluar për shkak se Çerkini nuk i kishte plotësuar siç duhet të gjitha dokumentet.

Venera Çerkini ishte emëruar edhe në vitin 2021, si u.d e Kryeshefit Ekzekutiv në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë. Më pas ajo, ishte zhvendosur në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal si në Minsitrinë e zëvendësuese e Sekretares së Përgjithshme.

Emërimi i Çerkinit në këtë pozicion, del se është në shpërputhje të madhe me vlerësimin që e kanë bërë britanikët në këtë konkurs. Kjo pasi në vlerësimin e ekspertëve të Ambasadës së Britanisë në Kosovë, Çerkini nuk është as në listën e ngushtë të kandidatëve që do të duhej të zgjidheshin në këtë pozitë.

Në vlerësimin e bërë nga britanikët, shihet se dy kandidatët që mund të emëroheshin në këtë pozitë, e të cilët kishin marrë mbi 70% të pikëve ishin Menderes Ibra dhe Muzafer Luma.

Kujtojmë se Periskopi javë më parë pati raportuar edhe se si pozitat kyqe në ministrinë e udhëhequr nga Faton Peci janë me ushtrues detyre pas edhe katër vitesh qeverisje./PERISKOPI/

 

Shpërndaje në: