Kurti e Vuçiq do të priten ndaras nga nikoqirët e Bruksel

Kurti e Vuçiq do të priten ndaras nga nikoqirët e Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq udhëtojnë drejt Brukselit. Atje do të priten nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe përfaqësuesi special për dialogun, Miroslav Lajçak.

Kurti dhe Vuçiq fillimisht do të zhvillojnë takime të ndara me nikoqirët e Brukselit, raporton N1 në Beograd, filiali i mediumit të njohur ndërkombëtar, CNN.

Ajo që s’dihet ende është se me kë do të zhvillohet takimi i parë dypalësh.

Planifikohet edhe një takim trepalësh, pra një përballje Kurti-Vuçiq, sipas N1, por zhvillimi i këtij takimi thuhet se varet nga “rrjedha dhe rezultatet e negociatave dypalëshe”, si dhe nga përafrimi i paraprak i dy liderëve.

Vuçiq dhe Kurti u ulën për herë të fundit në tryezën e bisedimeve më 18 gusht, kur u pajtuan që të takohen një herë në muaj për t’i zgjidhur problemet aktuale dhe për ta parandaluar përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve.

Në Bruksel shpresojnë se negociatat nuk do të zgjasin shumë dhe çdo gjë mund të përfundojë deri në mesditë.

Shpërndaje në: