Kurti ia huq “datës historike” të VV-së, thotë se ka fituar zgjedhjet më 14 korrik 2021

Kurti ia huq “datës historike” të VV-së, thotë se ka fituar zgjedhjet më 14 korrik 2021

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duket se e ka ngatërruar një datë që Lëvizja Vetëvendosje e përmend aq shumë, e madje e konsideron edhe si historike, 14 shkurtin 2021.Kjo njëherit, është dita kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet parlamentar, me ç’rast edhe Kurti u bë kryeministër i vendit.

Megjithatë, ai duket se e ka ngatërruar datën e ditës kur fitoi zgjedhjet.

“Ju duhet ta kuptoni që ne kemi fituar bashkë me 14 korrik 2021, nuk janë më ato modelet e vjetra kur deklaron diça kryeministri e duhet ta pyesim çka menon presidentja, ose anasjelltas”, tha ai në një konferencë për media.

Kurti këto deklarata i bëri derisa dukej se po kritikonte mediat që kërkonin deklarime edhe prej zyrtarëve të tjerë shtetërorë në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit.

“Ne jemi bashkë, andaj nuk është e thënë që secili udhëheqës institucional të deklarohet çdo herë për të njëjtën çështje, e tash çka menon kryeparlamentari Konjufca, ministrja Gërvalla, presidentja Osmani, kryeministri Kurti, zëvendëskryeministri Bislimi, përveç nëse nuk doni ta bëni top-prioritet”, tha ai.

Shpërndaje në: