Krasniqi: Me Marrëveshjen e Ohrit flitet për autonomi politike për serbët

Krasniqi: Me Marrëveshjen e Ohrit flitet për autonomi politike për serbët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se me Marrëveshjen e Ohrit, nuk bëhet më fjalë për Asociacion të komunave me shumicë serbe, por me autonomi politike. Sipas Krasniqit, Marrëveshja s’i plotëson as kërkesat e as pritjet e Kosovës, ndërsa tha se për këtë qasje në dialog fajtor dhe përgjegjës është kryeministri Albin Kurti.

“Presioni ndërkombëtar është rritur me qasjen ‘merre ose lëre’. Kjo është marrëveshje e pamjaftueshme për Kosovën, marrëveshje që s’i plotëson as për afërti as pritjet e as kërkesat e Kosovës. ‘Lëre’ është shumë keq, por do e mirëkuptoja po të thoshte Kurti ‘më falni kam gabuar rrugës’. Nuk mund të sillesh me aq shpërfillje, me atë mungesë të koordinimit në raport me njerëzit që të kanë mbështetur dhe të thuash tash e kemi ndërruar situatën. Ne s’po flasim për Asociacion fare, po flasim për Autonomi politike potencialisht për komunitetin serb”, deklaroi deputeti i partisë opozitare.

Krasniqi theksoi se Kurti s’po arrin as ta sqarojë çka është vetëmenaxhimi, e kur po tenton “po bëhet qesharak”.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se partnerët ndërkombëtarë e kanë humbur ambicien që ta ndihmojnë Kosovën në arritjen e një marrëveshjeje finale me Serbinë.

Ai ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV të enjten se kjo ka ndodhur për shkak të qasjes së kryeministrit Albin Kurti. Sipas Krasniqit, momentumi për arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë është humbur, e nga kjo siç ka thënë ai, Kosova ka humbur shumë.

Krasniqi ka thënë se gjithçka nisi nga agresioni rus në Ukrainë.

“E kemi mbështetur Qeverinë në raport me Serbinë, duke i dhënë hapësirën e plotë të veprimit pa pengesa. Duke mos e ftuar as Kuvendin e Kosovës për të raportuar, për t’i ikur çfarëdolloj tensionimi të situatës në mënyrë që ta inkurajojmë sa më shumë që ai të angazhohet në proces dhe të shfrytëzojë mbështetjen e madhe që ekzistonte të bashkësisë ndërkombëtare… Gjatë kësaj periudhe Kurti ka qenë përtej arrogant, ka qenë edhe irracional. Ka qenë komplet i papërgatitur e i papërvojë po mbi të gjitha edhe shpërfillës. Jo vetëm ndaj nesh, por edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndaj ndërmjetësve, në mënyrë të veçantë në periudha të caktuara edhe ndaj SHBA-së, BE-së, që ka ndikuar në qasjen e përgjithshme sa i përket dialogut”, ka thënë ai.

Sipas Krasniqit, Kurti u krijoi pasiguri vendeve aleate përgjatë një viti, e kjo për Krasniqin, është argument për ndërrimin e qëndrimeve të vendeve mike për Kosovën.

“Kjo mungesë e sigurisë që ai ua shkaktoi të gjithëve krizat thuajse se janë në unison ai dhe presidenti Vuçiq. Kur krijoi një krizë në korrik e pastaj vazhdoi në shtator, e një eskalim në nëntor. Besoj se e ka ndryshuar qasjen edhe të partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Krasniqi.

Shpërndaje në: