Kurti në NATO flet për reciprocitetin: Nuk ka mënyrë tjetër pos zbatimit të vendimit

Kurti  në NATO flet për reciprocitetin: Nuk ka mënyrë tjetër pos zbatimit të vendimit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë dy palë në vend, ku në njërën është Kosova demokratike dhe në tjetrën strukturat ilegale të Serbisë në veri.

Ai ka thënë se nevojitet mbështetja e BE-së, NATO-s dhe shteteve perëndimore për ta vazhduar luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nëse mendohet për dy palët, kemi shtetin demokratik të Kosovës, policinë profesionale dhe në palën tjetër kemi struktura të paligjshme të Serbisë që janë kthyer në banda kriminale që kanë ngritur edhe barrikada. Mund të thuhet se janë dy palë, por nuk mund ta humbin busullën morale. Nuk mund të shmangim politikat e vendosura, duhet të ketë zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit. Na duhet mbështetja nga BE-ja, NATO, perëndimi demokratik për një vend demokratik si Kosova. E di që janë 4 shtete që nuk na kanë njohur, nuk është e lehtë, por gjithmonë do të insistoj për atë që është e drejtë dhe e nevojshme”, tha Kurti në konferencën me shefin e NATO-s.

Kurti është pyetur nëse është e mundur tërheqja nga vendimi për targat. Ai theksoi se Kosova po kryen obligimin ligjor sipas të drejtës së saj.

“Më 29 qershor kemi marrë vendim për t’i mundësuar qytetarëve serbë tabela të regjistruara që janë trashëgimi e Millosheviqit të prodhuara në Serbi, me akronime të qyteteve në Kosovë, që t’i konvertojnë në tabela legjitime. Në këtë drejtim kemi filluar fushatë për të informuar qytetarët serbë dhe kemi krijuar një stimul financiar që gjatë konvertimit qytetarët serbë nuk do duhet të paguajnë TVSH apo doganën që mund të shkojë deri në 5 mijë euro. Vetë Serbia është pajtuar që që prej janarit 2018 nuk do prodhojnë tabela të tilla në Serbi dhe nuk do t’i detyrojnë serbët t’i përdorin. Katër vite më vonë po implementojmë diçka që është në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet tona. Duke qenë në përputhje me zotimet e Serbisë dhe obligimet e tyre gjatë negociatave në Bruksel, pra nuk ka mënyrë tjetër dhe është në dobi të të gjithëve të bëjmë çdo gjë legjitime”.

Shpërndaje në: