Kurti në përvjetorin e Epopesë së UÇK-së: Familja Jashari luftoi deri në fund për liri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në përkujtimin e 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka theksuar rëndësinë historike të qëndresës së familjes Jashari në Prekaz.
Në mbledhjen solemne të Qeverisë, ai tha se sakrifica e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, përfaqëson një moment vendimtar në vetëdijen kombëtare dhe në rrugëtimin e popullit të Kosovës drejt lirisë
“Epopeja e UÇK-së përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe në bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm ku për tri ditë e tri net rresht një familje liridashëse autoktone i bën rezistencë një shteti policor dhe okupator. Edhe pse familja Jashari ishte e rrethuar nga mijëra forca të pajisura me makineri të rënda, ata luftuan dhe qëndruan deri në fund, duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithëve ne”, u shpreh kryeministri.
“Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë – liria, sepse asgjë nuk është më e vlefshme se ajo. Burrat, gratë dhe fëmijët vendosën të mos ndaheshin nga Adem Jashari. Ata qëndruan bashkë, nga bindja se liria kërkon sakrificë, e cila nis nga vetja”, shtoi Kurti.
Pos kësaj mbledhjeje, do të mbahet edhe seancë solemne e Kuvendit të Kosovës e cila nis në orën 10:00./Periskopi



