Kurti nga Uashingtoni: Duam normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, shpresohet që takimi të mbahet në fund të gushtit

Kurti nga Uashingtoni: Duam normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, shpresohet që takimi të mbahet në fund të gushtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’, nga Uashingtoni ka folur për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, si dhe ka treguar se kur mund të ketë një takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë s’janë normale, megjithatë dëshiron normalizimin e tyre, përcjell Periskopi.

“Ne asnjëherë nuk kemi mohuar rëndësinë e bisedimeve, por kemi thënë që ato duhet të jenë bisedime parimore me të cilat Kosova është palë dhe jo temë siç ka qenë në të kaluarën. Për SHBA-të ashtu edhe sikur për Qeverinë e Kosovës, Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik me integritet të qartë territorial, por në të njëjtën kohë ne e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, rrjedhimisht duam normalizim të këtyre marrëdhënieve. Dhe, normalizimi i këtyre marrëdhënieve bëhet me dialog, i cili duhet ta ketë qëllimin e një marreveshje ligjërisht të obligueshme, të përqendruar tek njohja reciproke. Këtu kemi dakordim të plotë me sekretarin Blinken, i cili është aleat, partner dhe mik i madh i Kosovës.”

Tutje, kryeministri Kurti ka fajësuar Beogradin për mosmbajtjen e takimit, ashtu siç po kërkon Brukseli, duke treguar më pas edhe se kur mund të ndodhë takimi i ardhshëm.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj për në Bruksel për takimin e radhës, të përgatitur mirë për çështje bilaterale. Dhe, një takim i tillë ka pasur plan që të mbahet më datën 19 korrik, mirëpor nuk u mbajt përshkak të Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyerje mbi një mujore. Dikur thoshin se duhet të presim se nuk i kanë mbajtur zgjedhjet, e tash ndonëse po bëhen gati 4 muaj prej që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyyeshme, që kanë të bëjnë me faktin që përkundër kërkesave të SHBA-së dhe BE-së, ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga Presidenti despotik Putin nga Kremlini zyrtar dhe lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës.
Me këtë rast unë theksoj se Kosova ka qenë çdoherë me çdo zyrtarë të saj, gjatë procesit të Brukselit, konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Sekretari Blinken kërkoi që të vazhdojmë të jemi edhe më tej të tillë, ne do të vazhdojmë të jemi edhe më tej të tillë, por është Beogradi ai i cili po punon kundër marrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, ndërkohë që ne jemi konstruktiv dhe Brukseli këtë e ka regjistruar. Në vend që të mbahet takimi në korrik, tash shpresohet që mbase do të mbahet në fund të gushtit”, përfundoi Kurti. /Periskopi/

Shpërndaje në: