Kurti nuk e do ekspertizën britanike në përzgjedhjen e bordit për mbikëqyrjen e tenderëve

Kurti nuk e do ekspertizën britanike në përzgjedhjen e bordit për mbikëqyrjen e tenderëve

Kryeministri Albin Kurti do që të ketë kontroll të plotë në përzgjedhjen e njerëzve që janë të involvuar në proceset e tenderëve. Kjo mund të konstatohet pasi qeveria ka proceduar në atë mënyrë që të mos ftohet Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë në përzgjedhjen e bordeve që bëjnë mbikëqyrjen e Ligjit të Prokurimit Publik, dhe të ndarjes së drejtësisë në tender, shkruan Periskopi.com.

Dy institucionet që kujdesen që të ketë një garë fer e pa dallavere në tenderët, Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik dhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit janë pa Bord drejtues. Institucioni i parë, OSHP nuk ka bord që një vit, ndërsa KRPP është me minus dy anëtarë nga pesë sa duhet të ketë.

Qeveria e Kosovës ka marrëveshje me Ambasadën britanike në Prishtinë që të asistohet në këto dy procese të rekrutimit të Bordeve, por ambasada nuk është përfshirë në asnjërin proces.

Qeveria e Kosovës ka shpallur konkurs të ri për zgjedhjen e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, i cili është mbyllur më 24 dhjetor 2021. Konkursi i kaluar në të cilin ka asistuar Ambasada Britanike në Kosovë ka dështuar për shkak se kandidatët nuk janë votuar në Kuvendin. “Ambasada Britanike në Prishtinë nuk do të asistojë në procesin e ri për zgjedhjen e bordit të OShP-së. Qëndrimi ynë i vazhdueshëm për raste të tilla është se projekti i Ambasadës Britanike nuk do të jetë në gjendje të mbështesë përsëri procesin, në rastet kur rekrutimi ka përfunduar me sukses dhe ka rezultuar me kandidatë që janë të emërueshëm”, kishte bërë të ditur Ambasadës Britanike.

Para pak ditëve, Qeveria e Kosovës ka kryer të gjitha procedurat për emërimin e dy anëtarëve të Bordit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik -KRPP-së, pasi ky institucion që mbikëqyr zbatimin e ligjit të prokurimit në institucionet publike funksion vetëm me tre anëtarë që disa vite.

Avni Sahiti dhe Fidane Spahija-Gjikolli janë emrat e propozuar për dy anëtarë të KRPP-së nga ana e qeverisë.  Madje, Fidane Spahija-Gjikolli rezulton të jetë vajza e një aktivisti të Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, Hidaverid Spahija.

Periskopi ka mësuar se Ambasada britanike nuk është ftuar fare që të asistojë në këtë konkurs, i cili tashmë ka shkuar në Kuvend. Nga ana tjetër,  qeveria ka marrëveshje edhe për asistimet të britanikeve në KRPP.

Ehat Miftaraj -Drejtor ekzekutiv i Institutit te Kosovës për Drejtësi (IKD), konsideron që mos përfshirja e ambasadës britanike në këto dy procese është lajm jo i mirë.

“Pjesëmarrja e ambasadës britanike në proceset e rekrutimit të pozitave të lartë  është një vlerë e cila ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në ato raste kur ka pasur vullnet që të përzgjidhen dhe emërohen persona me integritet dhe për të siguruar një proces transparent të bazuar në meritokraci.  Përparësi e jashtëzakonshme e monitorimit nga ambasada britanike poashtu është siguria për kandidatët që duan të jenë pjesë e kësaj gare, për një proces të dretë, pavarur dhe apolitik.  Andaj, lajmi se ambasada britanike nuk të jetë pjesë e këtyre proceseve është lajm jo i mirë.  Sikurse, ambasada britanike që nga fillimi ka dëshmuar përkushtim dhe vullnet për të ndihmuar institucionet e Kosovës në këto procese, dhe kur kjo ambasadë harxhon resurse financiare për të monitoruar një proces dhe këshillat e saj nuk merren parasysh, sigurisht, se të njëjtit me të drejtë marrin vendime të tilla që të mos monitorojnë të njëjtin proces disa herë”, thotë Miftaraj për Periskopi.

Redaksia nuk ka marrë përgjgije nga Zyra e kryeminsitrit gjatë ditës së sotme për t’u informuar se deri ku ka shkuar procesi për përzgjedhjen e antyarëve të OSHP-së.

Që nga data 31 mars 2021, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka mbetur pa bord drejtuese dhe si rezultat, ankesat e operatorëve ekonomik nuk mund të shqyrtohen.

Të gjithë tenderët për të cilët ka ankesa janë të pezulluar dhe nuk mund të ndërmerret asnjë veprim nga ana e institucioneve deri sa të emërohet bordi i OSHP-së. Kjo po shkakton probleme të mëdha pasi investimet kapitale dhe mallrat e shërbimet mbesin të bllokuara si rezultat i ankesave.

Qëndrim Arifi, hulumtues i lartë në INPO, organizatë kjo që monitoron prokurimin publik në vend, thotë se politika është fajtore për dështimet e vazhdueshme që OSHP-ja nuk ka Bord funksional.

Sipas tij, lufta politike për njerëzit që do të votohen për këtë Bord është e pakompromis, për shkak të rëndësisë së këtij organi.

“Fajtori kryesor për këtë është politika, konkretisht Qeveria dhe Kuvendi. Pra, sepse ky organ, procedurat e përzgjedhjes fillojnë nga qeveria dhe përfundojnë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ndërsa të dy këto institucione kanë dështuar që me kohë këta anëtarë të bordit t’i sjellin në vendin e tyre të punës, pra ta funksionalizojnë Bordin e OSHP- së”, ka thënë Arifi për Periskopin.

Arifi ka shtuar se edhe pse është hapur konkursi për zgjedhjen e drejtorit dhe katër anëtarëve të tjerë për Bordin e OSHP-së, qeveria po ecën me hapa shumë të ngadaltë.

Bordi i OSHP-së është organ vendimmarrës sa i përket shqyrtimit të ankesave që parashtrohen nga kompanitë në këtë institucion. Punën e tyre e zhvillojnë përmes paneleve shqyrtuese, ku me ç ‘rast përmes seancave, qoftë dëgjimore apo të mbyllura, vendosin mbi themelësinë e ankesave të kompanive.

Sipas të dhënave të OSHP-së, që Periskopi i ka nxjerra nga ueb-faqja e këtij institucioni, gjatë vitit 2021, OSHP ka pranuar 881 ankesa gjithsejtë nga kompanitë publike, nën arsyetimin se u është bërë e pa drejtë nga zyrtarët e prokurimit. Rreth 500 ankesa kanë mbetur të pa trajtuara ngase nga data 31 Mars mungon Bordi. Vlera e kapitalit të ngrirë sillet rreth 200 milionë euro. Prej janarit 2022 e deri më tash, numri është rritur dukshëm.

Institucionet publike, po realizojnë procedura të prokurimit me negocion për të njëjtit tender që kanë mbetur pezull në OSHP për shkak të mos trajtimit të ankesave. Kjo procedurë e prokurimit është jo konkurruese dhe shpeshherë është parë si e dyshimtë nga ekspertët e prokurimit.

Nga ana tjetër, Instituti Kosovarë i Demokracisë -KDI, sot u ka dërguar letër të gjitha Autoriteve Kontraktuese.

KDI ka gjetur se megjithatë disa autoritete kontraktuese kanë vendosur të mos presin vendimin nga Organi Shqyrtues i Prokurimit me arsyet se tashmë ka kanë kaluar të gjitha afatet ligjore për vendimmarrje.”Nga 531 tenderë që janë të bllokuar në OSHP, autoritete kontraktuese kanë vazhduar me procedurat e prokurimit për 143 prej tyre, pa pritur vendimin e OSHP-së nën arsyetimin se kanë skaduar të gjitha afatet ligjore për vendim-marrje. Vlera monetare e aktiviteteve të prokurimit që kanë mbetur të bllokuar është mbi 200 milion euro. Bllokimi i aktiviteteve të prokurimit në OSHP mund të shkaktojë pasoja të mëdha për komunat: humbja e mundësisë për të përfituar mjete financiare përmes skemës të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dhënie të grante të performancës komunale. Një nga kriteret bazë është që ato të kenë shpenzuar së paku 75% të buxhetit për investime kapitale”, ka bërë të ditur KDI.
Sipas KDI, procedimi tutje e ka bazën ligjore në nenin 135, paragrafi 1 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative, i cili thotë se afati i përgjithshëm i zbatueshëm për përfundimin e procedurës administrative është tridhjetë (30) ditë nga fillimi i saj. Në këtë dispozitë ligjore janë mbështetur autoritetet kontraktuese të cilat kanë vazhduar tutje me aktivitetin e prokurimit dhe nuk kanë pritur vendimin nga OSHP.
KDI bën thirrje që autoritetet kontraktuese në përputhje më LPPA dhe interesin publik, të procedojnë me tej me të gjitha aktivitetet e prokurimit të cilat janë me ankesa në OSHP, për të cilat kanë skaduar të gjitha afatet ligjore./PERISKOPI

Shpërndaje në: